Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi dje miratimin e një përjashtimi që do të lejojë vazhdimin e ndihmës së huaj humanitare që shpëton jetë gjatë periudhës së rishikimit të ndihmës së jashtme nga administrata e Presidentit Trump.
Kjo masë vjen si pjesë e Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit për Rishikimin dhe Riorientimin e Ndihmës së Huaj të Shteteve të Bashkuara.
Rubio theksoi se implementuesit e programeve ekzistuese të ndihmës humanitare që shpëtojnë jetë janë të autorizuar të vazhdojnë ose të rifillojnë aktivitetet e tyre nëse kanë ndaluar, në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në këtë përjashtim.
Ambasada e SHBA-ve lëshoi sot një njoftim të shkurtër, referuar vendimit të Marko Rubios.
Sipas Ambasadës, SHBA-të kontribuojnë afërsisht 40% të ndihmës humanitare globale, por shton se “amerikanët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie”.
“Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me afërsisht 40% të ndihmës humanitare globale. Amerikanët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie. Teksa ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën e huaj të ShBA, Sekretari Rubio lëshoi një përjashtim për programet e ndihmës humanitare që shpëtojnë jetë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.