Kryeministri Edi Rama, e ka quajtur Reformën në Drejtësi, si një arritje të PS, e cila u bë vetëm falë vullnetit të saj.
Në një lidhje live ku u përgjigjej komentuesve, Rama u shpreh se ky është i vetmi fakt që duhet t’u bëjë shqiptarëve të ditur se në vend ka vetëm një forcë politike që po lufton të bëjë shtet.
“Ka një diskutim të vazhdueshëm e të pakuptueshëm për mua, jo po u fut ky apo ai në burg. Këto faturohen si faje apo përgjegjësi dhe e metë e PS, por pa PS dhe vullnetin tonë nuk do të ndodhte kjo që po ndodh që drejtësia të çlirohej nga kthetrat e pushtetit politike të veprojë pavarësisht se cilës anë i përket njëri apo tjetri. Nuk kishte ndodhur që të kishte më parë një person të lidhur me pushtetit që të vendosej para një drejtësie të pavarur. Kemi rastin e Fatos Nanos por ai u dënua nga një gjykatë politike. Drejtësia e pavarur arritje historike.
Vetëm për këtë nuk duhet të diskutohet fare se këtu ka vetëm një parti që lufton për të bërë shtet. Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe ne kemi individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe jo rrugës së PS.
Një gjë është e sigurt, që sot nuk ka më shumë korrupsion por ka më pak, ndryshe nuk do të ishim ulur në negociata me BE”, tha ai.
Një tjetër qytetar i është drejtuar kryeministrit në lidhje me largimin e shqiptarëve nga vendi për të jetuar në shtetet e BE dhe jo vetëm.
Rama u shpreh se ky është një trend jo vetëm shqiptar dhe se normalizimi pritet të arrihet në momentin që Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
“Po ikin shqiptarët, motiv i stërkënduar, por pa pasur parasysh disa fakte të thjeshta. Trendi i largimit të shqiptarëve drejt botës as nuk e ka zanafillën në qeverisjen tonë dhe nuk është as në stadin kur kthesa e dukshme të nisë. Mjafton të shohësh çka ndodhur me vendet e tjera, për të kuptuar që pika e kthesës, është momenti i anëtarësimit dhe i balancimit të vendit në kornizën e përgjithshme të vendeve europiane.
Në shqiptarët për 50 vite ishim të mbyllur dhe jemi më të justifikuarit për të kërkuar fatin dhe diçka më të mirë kur largohemi.
Por ka edhe shqiptarë që kthehen”, tha ai.