KreuDrejtësiaPezullohet një nga masat e paketës anti-dhunë/ Kushtetuesja pranon kërkesën e studentëve

Pezullohet një nga masat e paketës anti-dhunë/ Kushtetuesja pranon kërkesën e studentëve

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve dhe organizatave të shoqërisë civile, duke pezulluar zbatimin e një prej dispozitave të paketës anti-dhunë të miratuar nga qeveria. Bëhet fjalë për gjobat administrative ndaj protestuesve që bllokojnë rrugët automobilistike ose akset rrugore gjatë tubimeve.

Vendimi është marrë këtë të enjte, më 26 nëntor 2026, nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, të Këshillit të Ministrave, që ndryshon ligjin “Për tubimet”.

Në përfundim të shqyrtimit, me shumicë votash, gjyqtarët vendosën pezullimin e nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikonte sanksione administrative për personat që gjatë një proteste bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e mjeteve të transportit.

“Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit ‘Për tubimet’”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi, ndërsa kërkesa për shfuqizimin e aktit normativ është kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike.

Kërkesa është paraqitur nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, si dhe grupimet studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”.

Vendimi përbën fitoren e parë të studentëve dhe organizatave që kanë kundërshtuar paketën anti-dhunë të qeverisë, e cila u prezantua nga kryeministri Edi Rama si një mekanizëm për të garantuar mbarëvajtjen e protestave dhe për të parandaluar aktet e dhunshme.

Paketa parashikon një sërë masash dhe sanksionesh administrative për pjesëmarrësit në tubime. Mes tyre janë gjobat nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrjen në tubime të ndaluara dhe mosbindjen ndaj urdhrave të policisë, si dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat e maskuar që nuk zbatojnë urdhrin për shpërndarjen e tubimit.

Një tjetër masë e parashikuar është krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për akte dhune gjatë protestave, me mundësi verifikimesh edhe në kufi.

Paketa përfshin gjithashtu kompensimin nga shteti të bizneseve që dëmtohen gjatë akteve të dhunshme, me të drejtën që më pas t’u kërkohet autorëve dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara.

Ndërkohë, policisë i jepet mundësia të kufizojë përkohësisht zhvillimin e tubimeve pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, në rastet kur ekziston rrezik konkret për dhunë ose dëmtime të rënda të pronës.

Me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm dispozitën që lidhet me gjobitjen për bllokimin e rrugëve. Pjesa tjetër e paketës mbetet jashtë këtij vendimi për pezullim, ndërsa kushtetutshmëria e aktit normativ do të shqyrtohet në seancën plenare publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat