Atletico Madrid shënon 5 gola në çerekfinalen e Kupës së Mbretit dhe kalon mes 4 skuadrave më të mira të këtij kompeticioni.
Një sfidë shumë e thjeshtë për madrilenët rezultoi ajo ndaj Getafes në Wanda Metropolitano, teksa të besuarit e Diego Pablo Simeones nuk e vunë asnjëherë në dyshim sfidën.
Festivalin e golave për vendasit do ta çelte pikërish ai, i biri i teknikut Simeone, Giuliano. 22 vjeçari u tregua i saktë përpara portës në minutat 8 dhe 17, duke shënuar një dopietë.
Lino i kthyer në një goleador kohët e fundit, do të realizonte golin e 3, vetëm 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, duke hipotekuar kualifikimin për më tej për “Los Cholchoneros”.
Edhe pjesa e dytë ndërkohë do të kishte të njëjtin ritëm, me madrilenët që do të kontrollonin lojën dhe do të shënonin dy gola të tjerë.
Në minutën e 78 do të ishte Angel Correa që me një goditje të fortë jashtë zone, do të gjente cepin e djathtë të portës për golin e 4.
Në fund të lojës do të kishte festë edhe për sulmuesin norvegjez, Alexander Sorloth që do të shënonte golin e 5 dhe të fundit të mbrëmjes.
“Tani derbi”, shkruan e përditshmja madrilene “Marca” ditën e sotme, për të kujtuar se tashmë pas suksesit të thellë 5-0 në Kupën e Mbretit, Atleticon e pret derbi i Madridit të dielën në mbrëmje. Një sfidë përcaktuese dhe tepër e rëndësishme për kreun me dy skuadrat që ndahen vetëm nga 1 pikë në tabelën e klasifikimit.