Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar qeverinë e tij se ka harruar aktin për fshirjen e gjobave. Ligji u votua në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend dhe do të falte gjobat për mijëra njerëz të penalizuar për ndërtimet pa leje në fshat dhe në qytet.
E ndërsa ligji u publikua në Fletoren Zyrtare më 30 dhjetor dhe hyri në fuqi më 15 janar, ende nuk janë përshkruar procedurat për fshirjen e gjobave. “Unë e kuptoj rehatin e kujtdo ne zyra, por hallexhinjtë nuk janë rehat”, thekson Braçe.
“Nuk ka rehat me hallexhinj përballë! Kurrë! I mbani mend gjobat e e vendosura ne qytet e ne fshat për çatitë, avllitë, shtesa, meremetime të brendshme e të jashtme, ambiente pune?
Natyrisht hallexhinjte-te gjobiturit, i mbajnë mend! Po Qeveria, institucionet e saj, i mbajnë mend? Jo më duket.
Ligji u votua në Kuvend në dhjetor, u publikua në Fletoren Zyrtare në 31 dhjetor, hyri në fuqi 15 ditë më pas, në 15 janar.
Brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi duhet të kish dalë akti që përshkruante procedurat për fshirjen e gjobave.
Sot data 5 shkurt, 10 ditë përtej afatit ligjor.
Ka dalë akti? Jo Unë e kuptoj rehatin e kujtdo në zyra, por hallexhinjtë nuk janë rehat. Kaq”, shkruan deputeti socialist.