Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko ka reaguar pas raportimeve në media për deklaratat e tij gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke mohuar se ka ngritur shqetësime për video erotike apo marrëdhënie intime mes kolegëve të tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Majko ka sqaruar se fjala e tij në Asamble kishte të bënte me kontaktet e papërshtatshme dhe komprometuese të politikanëve me krimin e organizuar. Sipas tij, shqetësimi i ngritur ishte shumë më serioz nga sa është paraqitur në disa raportime mediatike, ndërsa ka kërkuar që personat që kanë lidhje të tilla të largohen nga politika.
Majko thotë se gjatë fjalës së tij ka përmendur vetëm një informacion publik lidhur me video të sekuestruara nga SPAK, por mohon të ketë folur për përmbajtje erotike apo video intime të kolegëve socialistë.
“Po ndjek me humor ‘daullet’ e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së jam shqetësuar për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mi socialistë! Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika!”, shkruan Majko.
Ish-kryeministri ka sqaruar se nuk ka bërë asnjë koment për jetën intime të kolegëve, duke kundërshtuar mënyrën se si deklarata e tij është interpretuar dhe pasqyruar në media.
Ai ka veçuar gazetarin Muhamed Veliu, duke thënë se ishte i vetmi që e kishte kontaktuar për të konfirmuar deklarimet e tij. Ndërsa për gazetarin Blendi Fevziu, Majko ka bërë një koment ironik, duke pretenduar se këtij të fundit i kishte pëlqyer më shumë versioni që lidhej me seksin.
Në reagimin e tij, Majko ka shprehur pakënaqësi për faktin se vëmendja mediatike, sipas tij, është përqendruar te pretendimet për video erotike dhe jo te çështja e kontakteve të politikanëve me krimin e organizuar.
“Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda ‘videot erotike’ se sa kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar!”, shkruan ai.
Në fund, Majko e mbyll reagimin me ironi, duke e cilësuar sqarimin e tij si një “ndjesë të detyruar” për ata që mund të jenë zhgënjyer nga përmbajtja e vërtetë e deklaratës.



