Të hënën Kuvendi pritet të votojë projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, një proces i cili vijon të zvarritet prej 3 vitesh, pasi ka munguar konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës.
Për këtë arsye, përmes Kryetarit Zenel Drangu, Shoqata Antikomuniste në Shkodër i bën thirrje palëve të dakordësohen në dobi të shoqërisë shqiptare, ndërsa propozojnë emrin e Besim Ndregjonit.
Gara për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka nisur me 15 kandidatë që plotësuan kriteret ligjore, por në seancë plenare mund të votohen vetëm ata kandidatë që kanë mbledhur firmat e jo më pak se 28 deputetëve, ndaj Shoqata e Antikomunistëve në Shkodër i bën thirrje Partisë Demokratike të mbështesë ish të përndjekurin politik, Besim Ndregjoni.
Votimi për Avokatin e ri të Popullit do të bëhet për herë të dytë, pasi procesi dështoi në votimin e parë, kur mazhoranca rrëzoi me votë në seancë emrat e mbështetur nga opozita.