Teuta duket se ka bërë “bingo” këtë sezon me afrimet që ka bërë në tregun anglez. Dinel Simeu ndoshta nuk impresionon shumë si emër, por e kaluara e tij po.
Mbrojtësi 22-vjeçar i lindur në Kamerun ka qenë pjesë e Çelsit, deri tek ekipi U-23, në të njëjtën kohë me sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Armando Brojën. Ka qenë po ashtu pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Anglisë. Ai zbarkoi në Shqipëri më 31 gusht dhe tashmë po shfaq vlerat e tij me fanellën e Teutës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Simeu tregon se si erdhi në Shqipëri, marrëdhënien që ka me Brojën prej 9 vitesh, kampionatin shqiptar dhe po ashtu edhe njohjen që ka me emra të skenës së madhe të futbollit europian, si Xhud Belingham, Jamal Musiala dhe Kol Palmer.
Daniel, si erdhët në Shqipëri, kush ishte njeriu që ju propozoi të transferoheshit te Teuta?
Agjencia ime, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, Enzo Aliaj, i cili është shqiptar. Ai foli drejtpërdrejt me klubin për më dha këtë mundësi për të luajtur në Shqipëri.
Çfarë ju ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe që luani në kampionatin shqiptar?
Më ka bërë përshtypje fakti që kampionat është i fortë, konkurrues, edhe pse me pak ekipe. Ndeshjet vendosen nga rezultate të ngushta, rrallë sheh një rezultat të thellë. Çdo ekip ka cilësitë e veta, asnjë nuk është njësoj me tjetrin. Ka intensitet në lojë dhe kjo gjë më pëlqen.
Si është një ditë për ju në qytetin e Durrësit?
Një ditë imja në Durrës konsiston detyrimisht në zgjimin herët. Konsumoj mëngjesin dhe një kafe, pastaj zakonisht shkoj në palestër për të përgatitur trupin për stërvitje. Stërvitemi rreth orës 14:00, më pas ha drekën dhe shkoj në shtëpi për të fjetur. Më pas shkoj përsëri në palestër për të bërë stërvitje shtesë për rikuperimin tim. E përfundoj ditën në telefon me familjen dhe miqtë e mi.
Me cilët nga pjesëtarët e ekipit shoqëroheni më shumë?
Jam një person i shoqërueshëm, kështu që flas me të gjithë në ekip. Përpiqem t’i njoh më mirë të gjithë, kulturën dhe prejardhjen e tyre. Jam më i afërt me Matias Llocin, pasi kemi shumë gjëra të përbashkëta, të dy jemi punëtorë të palodhur që shtyjmë njëri-tjetrin të bëjmë më mirë. Gjithashtu, kaloj kohë me Renaldo Torraj, pasi të dy erdhëm nga Anglia, kështu që ndihmojmë njëri-tjetrin.
Keni qenë me Brojën në një skuadër te Çelsi dhe Sauthemptoni. Çfarë raporti keni me sulmuesin shqiptar?
Broja është një nga miqtë e mi të ngushtë, e njoh prej 9 vitesh dhe kam shumë kujtime me të brenda dhe jashtë fushës. Ne flasim herë pas here, sidomos tani që jam në vendin e tij. Familja e tij ndonjëherë shikon ndeshjet për mbështetje, janë njerëz të mirë.
Komunikoni shpesh, çfarë ju tha kur mësoi se jeni transferuar në Shqipëri?
Sapo e mora vesh rastin, e pyeta Brojën se çfarë mendonte. Ai më tha të vija në Shqipëri, ku do të habitesha… Kështu, dëgjova këshillën e tij.
Si ju duket kampionati shqiptar, prisnit një nivel më të mirë?
Të them të drejtën, kam ardhur për disa ditë fillimisht për të parë dy ndeshje të Teutës, kundër Elbasanit dhe Partizanit. Doja të shikoja nivelin dhe të ndieja atmosferën, kështu që e dija se si do të ishte niveli. Mendoj se është një ligë e mirë, me kualitet dhe talente brenda saj
Me cilët lojtarë të niveleve të larta keni luajtur në Angli dhe a ruani raporte me ta?
Kam luajtur me shumë lojtarë të nivelit të larë gjatë kohës sime në Angli, nga Çelsi e te deri te kombëtaret e moshave të Anglisë. Kam luajtur me Xhud Belingham, Jamal Musialën dhe Kol Palmer. Një nga miqtë e mi më të ngushtë, me të cilin flas shpesh dhe që po kalon mirë në Serinë A tek Empoli, është Tino Anjorin.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL