Koalicioni Euroatlantik ka bërë një reagim lidhur me lajmet që po qarkullojnë, se zyrave të kësaj force politike në Tiranë iu është vënë çelësi.
“Për arsye organizative dhe për të garantuar mirëadministrimin e punës, po ndryshojmë ambientet ku do të zhvillohet aktiviteti ynë, por kjo nuk do të thotë heqje dorë nga kauza dhe angazhimi ynë politik si Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë”, thuhet në reagim, duke theksuar më tej se kjo forcë politike nuk është një parti e re, por vetëm instrument ligjor për pjesëmarrje në zgjedhje.
Gjithashtu, në këtë reagim është theksuar edhe njëherë qëndrimi i kreut të kësaj force politike, Lulzim Bashës duke thënë se ky i fundit nuk do të heqë dorë nga vula e Partisë Demokratike dhe nëse do të duhet të shkojë në Gjykatën e Strasburgut.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me lajmet e publikuara sot nga media të ndryshme, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik dhe të përgënjeshtrojmë disa informacione të pasakta që po qarkullojnë.
Për arsye organizative dhe me qëllim garantimin e mirëadministrimit të punës, jemi në proces ndryshimi të ambienteve ku do të zhvillohet aktiviteti ynë. Kjo nuk nënkupton heqje dorë nga kauza apo angazhimi ynë politik si Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë.
Koalicioni Euroatlantik ka qenë një instrument ligjor për pjesëmarrjen në zgjedhje, ashtu siç është bërë e qartë që pas datës 11 qershor 2024, kur pazari politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës prodhoi vendimin skandaloz të Gjykatës së Apelit.
Në asnjë moment z. Basha nuk ka hequr, dhe nuk do të heqë dorë, nga përballja për legjitimitetin e Partisë Demokratike, qoftë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Strasburg, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Sepse padrejtësia nuk duhet të triumfojë në Shqipëri.