back to top
31.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaGjobat fiktive dhe heshtja e sistemit/ Si po penalizohen qytetarët nga praktikat...

Gjobat fiktive dhe heshtja e sistemit/ Si po penalizohen qytetarët nga praktikat abuzive të Policisë Rrugore

Në Shqipëri, një fenomen shqetësues po fiton terren: Qytetarët po gjobiten nga Policia Rrugore për shkelje që nuk i kanë kryer kurrë. E gjitha ndodh në heshtje, në një sistem që nuk njofton drejtpërdrejt, nuk verifikon zyrtarisht dhe i detyron qytetarët të paguajnë jo vetëm gjobën, por edhe kamatëvonesën ,pa qenë as në dijeni të ndonjë shkeljeje.

Një mesazh dërgohet, në portalin e-Albaniam të cilin shumica e qytetarëve shqiptarë nuk e përdorin në mënyrë të rregullt, përveçse në rastet kur iu duhet të shkarkojnë ndonjë dokument.

Njoftimet për gjobat, të cilat nuk vijnë me postë, email apo mesazh në telefon, publikohen aty dhe rrallëherë shihen me kohë. Kështu, një gjobë e vendosur padrejtësisht për parkim të gabuar, tejkalim shpejtësie apo shkelje të sinjalistikës, mund të qëndrojë e pazbuluar për muaj apo vite.

Kur qytetari  e zbulon shpesh është shumë vonë për ta kontestuar.

Qytetarët në hallin e një sistemi të mbyllur

Balmiri një banor i Durrësit pas më shumë se tre muajsh ka zbuluar se ka një gjobë, të marrë në muajin mars, në qytetin e Kamzës, qytet në të cilin nuk ka qenë në atë kohë dhe as më vonë.

Sot Balmirit i duhet të paguaj edhe kamatën për vonesën, shumë e cila shkon në 66 euro.

Erjona, një mësuese nga Tirana, rrëfen se u përball me një gjobë për “parkim të gabuar në Elbasan”, ndonëse ajo nuk kishte shkuar asnjëherë në atë qytet. “E mësova kur shkova të rinovoja patentën. Në sistem figuroja me një gjobë të papaguar dhe me kamatë. E pagova nga halli, sepse përndryshe nuk më bëhej rinovimi. Askush nuk më sqaroi asgjë.”

Në një rast tjetër, Arben L., taksist nga Durrësi, zbuloi tri gjoba për tejkalim shpejtësie në rrugë që ai nuk i kishte përdorur. “I kërkova pamjet e radarit, por më thanë se nuk disponohen më. E vetmja gjë që mund të bëja ishte të paguaja, përndryshe më bllokonin lejen e qarkullimit.”

Abuzimi në heshtje

Sipas juristëve, qytetarët kanë të drejtë ligjore të kundërshtojnë çdo gjobë administrative brenda 10 ditëve nga data e njoftimit, por njoftimi në portal nuk konsiderohet “njoftim zyrtar” për shumicën e qytetarëve. Në praktikë, ata e mësojnë gjobën shumë më vonë, kur nuk ka më afat ligjor për ankesë.

Bazat ligjore Ligji nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 202 përcakton mënyrën e vendosjes së gjobave dhe të drejtën e apelimit. Ndërkohë, neni 27 i Ligjit për Procedurat Administrative (Nr. 44/2015) përcakton se njoftimi duhet të bëhet në formë të qartë dhe të aksesueshme për qytetarin.

Gjithashtu, sipas nenit 43 të të njëjtit ligj, “palët kanë të drejtën të paraqesin ankesë ose kërkesë për rishqyrtim nëse vendimi është marrë në mënyrë të parregullt”.

Kamata për një padrejtësi

Nëse gjoba nuk paguhet brenda afatit 15-ditor, qytetari jo vetëm që humb të drejtën e ankesës, por detyrohet të paguajë edhe kamatë. Kjo do të thotë që, nëse ai e mëson me vonesë për shkak të mënyrës joefektive të njoftimit, fatura i shumëfishohet padrejtësisht.

Roli i AMP dhe heshtja e institucioneve

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka marrë në shqyrtim disa raste të raportuara nga qytetarët për gjoba të pabazuara, por përgjigjet zyrtare janë të pakta. Rrallëherë verifikohen apo ndëshkohen zyrtarët që mund të kenë vendosur gjoba fiktive. Kjo krijon një klimë mosbesimi dhe dyshimi të thellë ndaj institucioneve.

Pasojat afatgjata, mungesë besimi dhe barrë ekonomike

Ky sistem jo vetëm që dëmton financiarisht qytetarët, por krijon edhe pasoja psikologjike. Njerëzit ndihen të pambrojtur dhe të pafuqishëm përballë një aparati shtetëror që nuk jep llogari. Kjo dëmton besimin në rendin dhe drejtësinë publike.

Zgjidhje të mundshme

  1. Njoftimi me SMS/e-mail për çdo gjobë – duhet të bëhet detyrim ligjor.
  2. Pamjet e radarit dhe provat fizike – duhet të ruhen dhe të jenë të aksesueshme për qytetarin që kërkon ankimim.
  3. Vendosja e afateve reale për ankesat – nisur nga momenti që qytetari është realisht në dijeni.
  4. Mbikëqyrje më e fortë e Policisë Rrugore dhe transparencë nga AMP.
  5. Fushatë informuese për të drejtat e qytetarëve dhe mënyrën e apelimit të gjobave.

Në një shoqëri demokratike, respektimi i të drejtave të qytetarëve është themeli i funksionimit të shtetit. Gjobat fiktive, mungesa e transparencës dhe penalizimi i pajustifikuar janë tregues të një sistemi që ka nevojë për reformim urgjent. Pa llogaridhënie dhe pa mbrojtje për individin, çdo gjobë nuk është më instrument drejtësie, por një formë abuzimi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat