Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka përsëritur akuzat për parregullsi në zgjedhjet e 11 majit, të cilat i cilësoi si një farsë elektorale. Në një intervistë për RTSH24, Blushi tha se Partia e Lirisë do të vijojë me denoncime të reja dhe se pret prova të tjera nga procesi i rinumërimit të votave.
“Ky terror nuk mund të pranohet. Është fakt që me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jam i bindur që nga procesi i rinumërimit do të dalin prova të tjera të këtij krimi elektoral”, u shpreh Blushi.
I pyetur për marrëdhënien me Partinë Demokratike, ai e quajti “bashkëpunim të shkëlqyer”, duke theksuar se opozita është e bashkuar në frontin kundër, siç u shpreh ai, “terrorit elektoral”.
“Nuk ka asnjë krisje me PD-në. Ne jemi së bashku në këtë betejë për të mbrojtur demokracinë dhe për të ndërtuar një opozitë që e meriton vendi”, tha Blushi.
Deputeti i sapozgjedhur në Tiranë theksoi se Partia e Lirisë do të ketë si prioritet absolut interesin publik në Kuvend. “Ne jemi katër deputetë, por do të flasim me forcën e 40 vetëve, sepse jemi zëdhënës të kauzave të mëdha për të cilat po lufton Presidenti i PL-së,” u shpreh ai.