back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK kërkon shkarkimin e prokurorit të Fierit/ KPA çel hetimin financiar

SPAK kërkon shkarkimin e prokurorit të Fierit/ KPA çel hetimin financiar

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka çelur shqyrtimin gjyqësor për prokurorin e Fierit, Genci Mane, pas ankimit të Komisioneres Publike dhe përfaqësuesit të SPAK, që kërkojnë shkarkimin e tij nga detyra.

Në seancën e 24 qershorit, prokurori Adnand Xholi, përfaqësues i drejtuesit të SPAK Altin Dumani, këmbënguli se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të Manes ishte i pabazuar dhe kërkoi ndryshimin e tij.

Sipas SPAK, manovrat financiare për një shumë prej 1.7 milionë lekësh – të pretenduar si dhuratë nga prindërit për blerjen e një apartamenti në Fier – nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme. Në analizën financiare, SPAK argumenton se prindërit nuk kishin mundësi reale për të kursyer këtë shumë, pasi nuk është llogaritur blerja e një apartamenti tjetër në Tiranë.

Gjithashtu, SPAK solli në vëmendje se edhe pas transaksionit, Mane rezultonte ende bashkëpronar në banesën në Berat dhe se pjesa takuese e tij vlerësohej më pak se sa shuma e pretenduar. Shtesë ndaj kësaj janë edhe përdorimet e mjeteve të të tretëve që nuk janë deklaruar siç duhet dhe kanë lidhje me persona të dyshimtë.

Nga ana tjetër, prokurori Genci Mane mohoi shkeljet dhe mbrojti vendimin e KPK-së. Ai deklaroi se prindërit e tij kishin të ardhura të mjaftueshme dhe ka paraqitur dokumentacion që sipas tij provon pagesa të rregullta tatimore nga aktiviteti i ligjshëm i të atit, një restaurator i njohur në fushën e trashëgimisë kulturore.

Sa i përket apartamentit në Fier, Mane sqaroi se përfitimi i kredisë së butë është bërë në bazë të kritereve ligjore dhe se nuk ka pasur konflikt interesi me Bashkinë e Fierit. Për përdorimin e automjeteve, ai u shpreh se janë marrë në raste të veçanta për udhëtime dhe se nuk ka pasur ndonjëherë procedime penale ndaj pronarëve të tyre.

Në fund të seancës, KPA mori vendim të ndërmjetëm për çeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe kërkimin e të dhënave shtesë nga OSHEE dhe Ujësjellës-Kanalizime në lidhje me pronat në emër të subjektit. Seanca e radhës u caktua për datën 14 korrik, ora 13:00.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat