Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Ilir Rusmajlit, këshilltar i Presidencës, për manipulim të votave në procesin e rinumërimit në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rusmajli ka zhvlerësuar votat e Partisë Demokratike në kryeqytet pa asnjë shkak ligjor, duke theksuar se cilido që nuk zbaton ligjin do të jetë përgjegjës para drejtësisë.
Berisha u shpreh se në Tiranë janë zhvendosur dy mandate deputetësh, dhe jo vetëm një siç është pretenduar, duke përmendur edhe emra si Ceno Klosi dhe grupet e tjera që sipas tij kanë punuar për të manipuluar procesin në favor të personave të caktuar.
Ish-kreu i PD-së theksoi se Rusmajli, i cili ishte bashkëpunëtor i tij, është shkarkuar për korrupsion dhe e akuzoi për veprime që kundërshtojnë ligjin e Presidencës dhe mungesë morale.
“Ligji i Presidencës thotë se këshilltari nuk mund të kryejë asnjë detyrë tjetër përveç këshilltarit. Por ky person ka dalë nga kuadri ligjor dhe ka zhvlerësuar votat e PD-së në Tiranë, duke i bërë ato të pavlefshme pa asnjë arsye ligjore,” tha Berisha.
Ai nënvizoi se nuk do të lejojë asnjë shkelje të ligjit dhe do të kërkojë përgjegjësi nga çdo person që cenon procesin zgjedhor.