Vetëm 60% e përdoruesve dorëzojnë raporte; mungesë monitorimi, mirëmbajtje dhe infrastrukturë në digat për ujitje e turizëm
Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024, ku ngre alarmin për mungesën e sigurisë në një pjesë të madhe të digave që administrohen nga bashkitë në vend.
Sipas raportit, 40% e bashkive nuk dorëzojnë fare raportin vjetor të detyruar për gjendjen e digave, çka sipas Komitetit tregon qartazi “neglizhencë dhe paaftësi për administrimin e tyre”.
Gjysma e digave jashtë standardeve të sigurisë
Nga raportimet e ardhura vetëm nga 60% e përdoruesve të digave, që administrojnë rreth 225 diga të mëdha, rezulton se vetëm digat që shfrytëzohen për prodhim energjie nga KESH dhe kompani të tjera të mëdha (në Drin, Devoll, Mat, Bistricë) përmbushin kërkesat e legjislacionit për monitorim dhe mirëmbajtje.
Ndërkohë, pjesa tjetër e digave, që shërbejnë për ujitje, furnizim me ujë, ose qëllime turistike, nuk kanë sisteme të monitorimit dhe nuk mirëmbahen siç duhet.
“Digat nuk monitorohen dhe nuk mirëmbahen nga shfrytëzuesit sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi. Kjo sjell përkeqësim të gjendjes së tyre dhe probleme në elementët kryesorë si veprat e marrjes së ujit apo sistemet e shkarkimit”, thuhet në raport.
Bashkitë më problematike: Elbasani, Durrësi, Berati, Korça, Tepelena, Finiqi dhe Peqini
Në listën e bashkive që nuk kanë dorëzuar fare raportin vjetor për vitin 2024 renditen: Elbasani, Durrësi, Berati, Korça, Tepelena, Finiqi dhe Peqini. Në digat e këtyre bashkive, nuk ka asnjë sistem monitorimi aktiv, ndërsa puna e ekipeve vendore cilësohet nga KKDM si “shumë e dobët”.
“Ka shumë diga që janë jashtë funksionit për shkak të problemeve teknike të vogla, por edhe për shkak të neglizhencës së përdoruesve të tyre”, theksohet në raport.
Pavarësisht se qeveria vuri në dispozicion një fond emergjent prej afro 500 milion lekësh, vetëm 10% e këtij fondi është përdorur nga bashkitë, duke reflektuar edhe më tej mungesën e vullnetit apo kapaciteteve për të menaxhuar situatën.
Rrezik i lartë në rast emergjencash
Raporti evidenton edhe një tjetër mangësi të rëndë: në asnjë nga digat për ujitje, furnizim me ujë apo turizëm nuk ka të instaluara sisteme alarmi për emergjenca civile.
“Nëse ndodh një ngjarje e papritur, zonat urbane poshtë digave janë potencialisht në rrezik të lartë,” paralajmëron Komiteti.
Komiteti vlerëson se gjendja e digave kërkon ndërhyrje të menjëhershme, si dhe angazhim real nga bashkitë dhe ministritë përkatëse për të garantuar:
Mirëmbajtje periodike dhe monitorim 24/7
Trajnim të stafit teknik në terren
Raportim të rregullt sipas ligjit
Instalimin e sistemeve alarmi dhe kontrolli
Në të kundërt, rreziku për ngjarje me pasoja të rënda për komunitetet poshtë digave mbetet real dhe i afërt.