back to top
28.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTatimi mbi pronat/ Përfshihen edhe bashkëpronarët në regjistrin elektronik

Tatimi mbi pronat/ Përfshihen edhe bashkëpronarët në regjistrin elektronik

Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të krijojnë një regjistër elektronik të unifikuar që do të përfshijë të dhëna të detajuara për të gjitha taksat dhe tarifat vendore, përfshirë edhe pasuritë e paluajtshme. Për herë të parë, në këtë sistem do të regjistrohen edhe bashkëpronarët e pronave, një hap që synon të forcojë administrimin fiskal dhe transparencën në nivel lokal.

Në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, përcaktohet se bashkitë do të jenë përgjegjëse për popullimin dhe përditësimin e këtij regjistri, bazuar në të dhëna si: lloji i pronës (ndërtesë, truall urban apo tokë bujqësore), pronari, bashkëpronarët, adresa, zona kadastrale, sipërfaqja dhe qëllimi i përdorimit.

Sipas Ministrisë së Financave, regjistri elektronik synon të përmbajë një pasqyrë të plotë të të gjitha detyrimeve fiskale në nivel vendor, duke përfshirë edhe të dhëna mbi detyrimet e papaguara, të ardhurat e planifikuara dhe ato të mbledhura, si dhe lehtësimet apo përjashtimet fiskale. Të dhënat do të raportohen të paktën një herë në vit nga bashkitë në Ministrinë e Financave.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, vlerëson se kjo është një reformë e domosdoshme për rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e mirëadministrimit të taksës mbi pasurinë. “Regjistri ndihmon bashkitë të evidentojnë në mënyrë të saktë pasuritë e tatueshme, të reduktojnë informalitetin dhe të kombinojnë të dhënat me identitetin fiskal të taksapaguesve”, shprehet ai.

Sipas tij, risitë si përfshirja e bashkëpronarëve ndihmojnë në ndërtimin e një baze të dhënash të plotë për politikat fiskale më të drejta. Por ai paralajmëron për vështirësitë që mund të hasin bashkitë e vogla, për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar dhe kapaciteteve teknologjike të kufizuara.

Për të siguruar zbatimin e suksesshëm të kësaj reforme, Haxhimali rekomandon:

Krijimin e një platforme të unifikuar kombëtare, të aksesueshme nga të gjitha bashkitë.

Alokimin e fondeve specifike për bashkitë me kapacitete të ulëta.

Bashkëpunim të ngushtë me institucione si ASHK, QKB dhe DPT për ndarjen automatike të të dhënave.

Raportime të rregullta nga këshillat bashkiakë për efektet në të ardhurat vendore.

Zbatimi i kësaj reforme pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt dixhitalizimit të administrimit vendor, rritjes së transparencës dhe forcimit të autonomisë fiskale të bashkive.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat