Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur hapur për marrëdhënien e respektit dhe bashkëpunimit me deputeten demokrate Jorida Tabaku, gjatë intervistës në emisionin “Çdo Kënd” në A2 CNN.
Ai pranoi publikisht se mbështetja që i dhanë njëri-tjetrit në fushatën për zgjedhjet e 11 majit ishte reciproke dhe e sinqertë.
“Patjetër, kjo është reciproke,” u përgjigj Braçe, kur u pyet nëse ai dhe Tabaku “bënë fushatë” për njëri-tjetrin përmes deklaratave publike që vlerësonin rolin e secilit në Kuvend.
Deputeti socialist e vlerësoi rolin e Tabakut si politikane dhe kontribuese aktive në jetën parlamentare, duke theksuar se Kuvendit i duhen figura të tilla, që nuk e shohin mandatin si status, por si përgjegjësi pune dhe përfaqësimi.
“Nëse tjetri rri atje matanë dhe të gjuan me fishekzjarrë, nuk ke ngasje të shkosh i përgatitur në Kuvend. Por kur ke përballë një deputete që lexon, që shkruan, që vjen me argumente – si Jorida – patjetër që stimulohesh. Ajo e kthen Kuvendin në një ambient pune,” tha Braçe.
Ai shprehu zhgënjimin për mënyrën se si funksionon aktualisht Kuvendi, duke e përshkruar si një mjedis jo stimulues dhe të mbyllur, veçanërisht në Komisionet parlamentare, të cilat sipas tij nuk krijojnë hapësirë për debat dhe mendim kritik.
“Nuk është ambient pune sot Kuvendi. Në komisione jemi 20-25 veta në një dhomë ku nuk merr dot as frymë, jo më të mendosh e të debatosh. Duhet ndryshuar Kuvendi, i ka ardhur koha,” deklaroi ai.
Braçe nënvizoi se mjedisi parlamentar ka nevojë për transformim, jo vetëm në infrastrukturë e procedura, por edhe në përbërje dhe qasje politike, duke nxitur respektin mes kundërshtarëve dhe përplasjen e ideve – jo të fyerjeve.



