Ristrukturimi i administratës në nivel vendor ka hyrë në një fazë intensive, si pjesë e urdhrit të dhënë nga kryeministri Edi Rama për rifreskimin e stafit drejtues në bashkitë e vendit. Qëllimi i kësaj reforme, sipas qeverisë, është rritja e cilësisë së shërbimeve publike dhe rritja e përgjegjshmërisë në drejtimin lokal.
Gjatë paradites së kësaj të marte, në Bashkinë Belsh kanë dhënë dorëheqje disa administratorë dhe drejtorë lokalë, duke i hapur rrugë fazës së re të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe performancës.
Po ashtu, në Bashkinë Prrenjas, tre administratorë kanë dorëzuar dorëheqjet që ditën e djeshme. Aktualisht, në këtë bashki dhe në të tjera, po kryhet një vlerësim i thelluar i performancës për drejtorët që vijojnë ende në detyrë.
E njëjta situatë po shënohet edhe në bashkitë Peqin, Cërrik dhe Gramsh, ku procesi i dorëheqjeve dhe rivlerësimeve është në zhvillim. Ndërkohë, në Librazhd dhe Elbasan, vala e dorëheqjeve ka nisur që prej ditës së hënë dhe vijon me intensitet.
Ky proces është pjesë e një reforme më të gjerë administrative që, sipas qeverisë, synon t’i japë fund “automatikës së zyrave” dhe ta kthejë administratën vendore në një pikë reale të shërbimit ndaj qytetarit. Përzgjedhja e drejtuesve të rinj, sipas burimeve zyrtare, do të bëhet mbi kritere të matshme të profesionalizmit dhe angazhimit publik.
Ndërkohë, në disa bashki të Qarkut Elbasan, ende ka drejtues që nuk kanë paraqitur dorëheqjen, ndërsa nga ana e qeverisë është sinjalizuar se procesi do të vijojë në të gjithë territorin në mënyrë të koordinuar dhe të pandalshme.