Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me tone të ashpra ndaj ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, të cilin e cilëson si “Kod Penal të narkodiktaturës”. Sipas tij, drafti i ri ligjor nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç shumëfishimit të veprave penale dhe ndëshkimit me burg të qytetarëve të zakonshëm, ndërsa mbrohen figurat e pushtetit dhe qeveritarët.
Në një dalje publike, Berisha u shpreh se Kodi është përpiluar në mënyrë të fshehtë dhe pa konsultim publik, duke e quajtur të turpshëm dhe represiv në përmbajtje.
“Në vështrimin e parë, pa arritur dot një lexim të plotë, e kam cilësuar atë si Kodin Penal të narkodiktaturës. Një Kod që ndëshkon qytetarët dhe mbron qeveritarët,” – tha Berisha.
Sipas tij, Kodi Penal i paraqitur nga Ministria e Drejtësisë synon t’i japë pushtetit mjetet për të përndjekur qytetarët, gazetarët dhe kundërshtarët politikë. Ai theksoi se shumë nene të propozuara janë “të pabesueshme” dhe të frymëzuara nga logjika e diktaturës, duke përmendur si shembull ndëshkimin me burg për fjalën e lirë.
“Edi Rama ka nxjerrë aty kode për të ndëshkuar gazetarët, për të ndëshkuar fjalën e lirë. Nëse një qytetar flet një fjalë që Rama e shpall fyese për gjykatësit, prokurorët, për Pëllumbesha Spiropalin, për vetë Edi Ramën apo për presidencën, dënohet me burg,” u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi se ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe një përpjekje për të shndërruar sistemin ligjor në një mjet frikësimi dhe represioni.
Berisha solli disa shembuj konkretë nga drafti i Kodit, të cilat sipas tij janë absurde dhe rrezikojnë të kriminalizojnë sjellje të zakonshme të qytetarëve.
“A mund të imagjinoni që, nëse një qytetar shkon tek një biznesmen dhe i ofron një marrëveshje më të mirë se dikush tjetër, dënohet me burg? Kjo është goditje në zemër të konkurrencës së lirë,” theksoi ai.
Ai shtoi se një ligj që penalizon iniciativën ekonomike dhe lirinë e individit është “produkt i përroi psikik të një bastardi xhelat të diktaturës si Edi Rama”.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe ekspertët ligjorë që kanë hartuar Kodin, si vegla të pushtetit autoritar. Ai përmendi veçanërisht Arben Rakipin, për të cilin tha se “vjen nga ish-Sigurimi i Shtetit” dhe se nuk ka legjitimitet moral për të hartuar ligje që prekin të drejtat themelore të qytetarëve.
“Sapo pashë Uluziun dhe Rakipin, kuptova që ky është një produkt që vjen nga zyrat e Edi Ramës, jo nga nevojat e shoqërisë apo të drejtësisë,” u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha e cilësoi draftin e ri të Kodit Penal si një “instrument për ndëshkimin politik të kundërshtarëve” dhe si pjesë të një strategjie më të gjerë të kontrollit të shoqërisë përmes frikës dhe burgosjes.
“Ky është një pasion për burgun, një pasion për represionin që e ka vetëm një regjim autoritar. Shqipëria ka nevojë për një sistem drejtësie të drejtë, jo për kodet e turpshme të diktaturës.”
Berisha i bëri thirrje shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë kundër këtij propozimi, i cili sipas tij “e kthen vendin pas në kohën e persekutimit dhe heshtjes së detyruar”.



