Rreth 440 milionë euro pasuri janë vendosur në sekuestro nga SPAK gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti. Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen prona të paluajtshme, llogari bankare, automjete, mjete lundruese dhe shoqëri tregtare.
Por çfarë ndodh me këto pasuri pas sekuestrimit dhe kush vendos nëse ato do t’i kalojnë përfundimisht shtetit?
Avokati Gylsem Zhllima, në një prononcim për RTSH-në, shpjegon se fati i pasurive përcaktohet përmes procesit gjyqësor dhe se është gjykata ajo që vlerëson origjinën e tyre dhe kërkesën e prokurorisë për konfiskim.
“Është në varësi gjithmonë të gjykatës që do të shqyrtojë barrën e provës për të vërtetuar origjinën e pasurisë. Ka persona të cilët i vendosin në dyshim pasuritë e ndërtuara dhe pastaj gjykata është ajo e cila vendos të pranojë apo jo kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e pasurive dhe këto të shkojnë në favor të shtetit. Të gjitha këto procese zhvillohen shumë shpejt, për shkak se kemi të bëjmë vetëm me akte kryesore”, tha Zhllima.
Një pjesë e problematikës lidhet me pasuritë që janë përfituar përmes kontratave të shitblerjes, porosive apo kontratave të sipërmarrjes në sektorin e ndërtimit.
Sipas avokatit, në këto raste duhet bërë një dallim mes përgjegjësisë së zhvilluesit dhe të pronarit të tokës apo personit që ka lidhur kontratën.
“Personi i cili ka bërë një porosi dhe/ose një kontratë sipërmarrjeje dhe, në momentin kur prona ka mbetur e pazhvilluar, nënkuptohet qartësisht që këtu kemi të bëjmë me një proces civil midis ndërtuesit dhe personit që ka dhënë objektin ose tokën e tij për shfrytëzim”, u shpreh ai.
Zhllima kërkon gjithashtu ndërhyrje në legjislacion, si në Kodin Civil, ashtu edhe në atë Penal. Sipas tij, pronarët që kanë vënë në dispozicion pasurinë e tyre për zhvillim nuk duhet të penalizohen për veprat penale të kryera nga zhvilluesi, veçanërisht në rastet kur rezultojnë se janë mashtruar.
“Për sa i përket ndërtimeve të cilat nuk kanë vazhduar, pavarësisht se mund të jenë në fazën e parë, të dytë, pra në ndërtim e sipër, dhe jemi përpara një sekuestrimi, duhet, nga ana tjetër, një dispozitë e qartë e përcaktuar që është i përjashtuar personi që ka dhënë pronën e tij për t’u përfshirë edhe ai në një procedim të tillë penal. Kjo kërkon patjetër një ndërhyrje në ligjin material penal. Kjo kërkon patjetër një ndërhyrje në ligjin civil”, tha avokati.
Një tjetër problem i shpeshtë është ai i qytetarëve që kanë blerë apartamente apo pasuri të tjera, por nuk kanë marrë dokumentacionin përkatës nga ndërtuesi.
Në këto raste, Zhllima rekomandon që qytetarët t’i drejtohen Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të ndjekur procedurat e nevojshme ligjore.
“Vetë personi, i cili mbetet në këtë situatë që jemi, shkon dhe paraqitet përpara SHK-së për të kryer veprimet procedurale”, tha ai.
Në fund, avokati u bën thirrje qytetarëve që të mos firmosin kontrata për blerjen e një prone pa u këshilluar më parë me një jurist.
Sipas tij, një verifikim juridik përpara nënshkrimit të kontratës mund të ndihmojë në shmangien e problemeve të mëvonshme, veçanërisht në rastet kur pasuria apo ndërtuesi mund të përfshihen në procedime gjyqësore.
Shuma prej 440 milionë eurosh pasuri të sekuestruara në shtatë muaj e vendos sërish në fokus çështjen e pasurive të dyshuara me origjinë të paligjshme, por edhe pasojat që procedimet penale mund të kenë te qytetarët që kanë lidhur kontrata të ligjshme me persona nën hetim.



