Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hapur thirrjen për 40 pozicione të reja hetuesish në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Thirrja u drejtohet kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe që kanë eksperiencë në zbatimin e ligjit apo në fusha të lidhura me misionin e BKH-së.
Sipas njoftimit, për të aplikuar kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë arsim të lartë policor, juridik, në kontabilitet ose në një degë tjetër të lidhur me veprimtarinë e BKH-së.
Një tjetër kusht është të kenë më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë që lidhet me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kandidatët duhet gjithashtu të plotësojnë kriteret e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës.
Procesi i përzgjedhjes do të jetë me disa etapa. Kandidatët do t’i nënshtrohen testimit konjitiv, testit të sjelljes dhe arsyetimit logjik, si dhe testimit të aftësive fizike.
Më pas procesi vijon me testin e zgjeruar me shkrim dhe intervistën e strukturuar.
Pjesë e detyrueshme e procedurës janë edhe poligrafi, verifikimi i pasurisë, figurës dhe sigurisë, si dhe kontrollet mjekësore dhe psikologjike. Këto procedura nuk pikëzohen, por janë të detyrueshme për kandidatët.
SPAK njofton se afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 14 shtator 2026, ora 16:00.
Hapja e 40 vendeve të reja në BKH vjen në një periudhë kur institucionet e drejtësisë së re kanë rritur ndjeshëm numrin dhe kompleksitetin e hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e strukturës hetimore të BKH-së, gara pritet të jetë e fortë, pasi procesi parashikon një sërë testimesh dhe verifikimesh para përzgjedhjes përfundimtare.



