KreuAktualitetPolitikaDebate në takimin me Ramën/ Kryebashkiaku i Divjakës "nxin" Maznikun

Debate në takimin me Ramën/ Kryebashkiaku i Divjakës “nxin” Maznikun

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, ka reaguar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të sqaruar qëndrimin e tij në takimin e zhvilluar në Kuç me kryeministrin Edi Rama, ku është diskutuar Reforma Territoriale.

Gorrea ka treguar se takimi ka qenë i mbyllur dhe se aty kryetarët e bashkive kanë pasur mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre. Sipas tij, ai nuk ka ndryshuar në asnjë moment qëndrim për të ardhmen e Bashkisë Divjakë.

“Qëndrimi im ka qenë i pastër. Nuk ka ndryshuar në asnjë moment nga ajo që kam deklaruar”, tha Gorrea para këshilltarëve bashkiakë.

Ai tregoi se gjatë takimit kishte mbrojtur idenë që Divjaka duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete, duke kundërshtuar argumentet që mund të çojnë në një ndryshim të statusit të saj.

Gorrea tha se gjatë diskutimit kishte ngritur edhe disa pikëpyetje mbi materialet e përgatitura nga Komisioni i Reformës Territoriale.

“Te Komisioni i Maznikut ka disa mospërputhje. Kapa disa gabime që do t’ua bëj me dije edhe ju”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku i Divjakës tha se kishte bërë edhe një krahasim mes Lushnjës dhe Divjakës, duke argumentuar pozicionin e tij për ruajtjen e bashkisë.

Sipas Gorresë, në takimin në Kuç, përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste ishin shprehur se nuk priteshin ndryshime në qarkun Fier. Ai tha se pikërisht për këtë arsye kishte kërkuar sqarime dhe kishte mbrojtur qëndrimin e tij.

Kryetari i Bashkisë Divjakë theksoi se takimi me Ramën nuk duhet interpretuar si një ndryshim i qëndrimit të tij politik apo institucional.

“Edhe në atë takim e mbrojta fort idenë që pse bashkia duhet të qëndrojë”, tha Gorrea.

Në këtë mënyrë, debati për Reformën Territoriale vijon të përplasë qëndrimet në nivel vendor, ndërsa Divjaka kërkon të ruajë statusin e saj si njësi administrative më vete.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat