back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaHaradinaj: Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë

Haradinaj: Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas ngjarjeve të rënda që ndodhën të dielën në Kosovë, ku brenda një dite u shënuan katër vrasje, tri në Gjilan dhe një në Prizren.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj e cilësoi 10 gushtin si një ditë tragjike për vendin, duke kërkuar veprime urgjente nga institucionet për të parandaluar dhe ndëshkuar ashpër autorët e krimeve.

“Dita e 10 gushtit ishte një ditë tragjike për Kosovën. Vetëm brenda një dite, në vendin tonë ndodhën katër vrasje mizore”, shkruan Haradinaj, duke theksuar se tre persona u ekzekutuan në mënyrë makabre në Gjilan nga individë që ndër vite ishin të njohur për vepra të ndryshme penale, ndërsa një i ri u vra me thikë në Prizren.

Deputeti apelon për reflektim të menjëhershëm institucional, duke e cilësuar datën si “alarm për gjithë shoqërinë dhe për të gjitha institucionet tona, pa dallim”, që sipas tij, duhet të marrin masa të pamëshirshme ligjore, jo vetëm për ndëshkimin, por edhe për parandalimin e krimeve.

“Veproni sot, për të mos vajtuar nesër!”, shkruan Haradinaj në reagimin e tij.

Ai kërkoi gjithashtu që të ndërmerren veprime serioze për të çrrënjosur ndikimin e individëve me të kaluar kriminale edhe brenda institucioneve të rendit.

“Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë. Nuk ka komunë pa dukuri të tilla, dhe shumica prej tyre dihen edhe nga publiku”, thekson ai.

Ky reagim vjen një ditë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, ku tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos, si dhe pas therjes me thikë të një të riu në fshatin Zhur të Prizrenit, i cili më vonë ndërroi jetë në QKUK. /Telegrafi/

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat