Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke pretenduar se kjo strukturë po bashkëpunon ngushtë me kartelet kriminale në vend.
“Në SPAK gjeta Elvis Doçin duke dekoruar Altin Troplinin si president nderi të kartelit Troplini, për bashkëpunimin e ngushtë me krimin. Sot, 250 urdhër-arreste ndërkombëtare e kombëtare nuk janë ekzekutuar, sepse janë informuar krerët e karteleve. Asnjë prej tyre nuk është në burg në Shqipëri,” – tha Berisha.
Ai shtoi se, ndryshe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që ekzekutonte mbi 85% të urdhrave të arrestit, SPAK ka një nivel ekzekutimi që “për bosët nuk shkon as në 10%”.
Berisha akuzoi gjithashtu institucionet ligjzbatuese për dezinformim lidhur me trafikun e drogës. Sipas tij, ndërsa autoritetet raportojnë sekuestrimin e 17 tonëve, informacionet ndërkombëtare flasin për 34 tonë kokainë, me vlerë rreth 6.5 miliardë euro, që kanë qarkulluar në duart e karteleve shqiptare.
“Asnjë gram nuk është kapur në Shqipëri. Padrinot janë të lirë, jetojnë në territore ku nuk hyn as policia, dhe vazhdojnë aktivitetin pa u prekur,” deklaroi Berisha, duke përmendur emra si Suel Çela dhe familjet kriminale të Çelajve e Ndreut.
Berisha i bëri thirrje gazetarëve të mos bien “pre e mashtrimeve dhe trillimeve të SPAK-ut” dhe e cilësoi situatën si një kërcënim madhor për rendin dhe sigurinë në vend.