back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëIA po e vret internetin/ A ka shpresë për ta shpëtuar?

IA po e vret internetin/ A ka shpresë për ta shpëtuar?

The Economist

Në fillim të vitit të kaluar, Matthew Prince nisi të merrte telefonata shqetësuese nga drejtues të kompanive të mëdha mediatike. Ata i thanë se po përballeshin me një kërcënim të ri serioz në internet.

“I pyeta, ‘Mos janë koreanoveriorët?’”, kujton ai. “Dhe ata thanë, ‘Jo. Është Inteligjenca Artificiale’”.

Ata drejtues kishin vënë re shenjat e para të një tendence që tashmë është e qartë: Inteligjenca Artificiale (IA) po ndryshon mënyrën se si njerëzit lundrojnë në internet.

Ndërsa përdoruesit po u drejtohen chatbot-ëve në vend të motorëve të zakonshëm të kërkimit, ata marrin përgjigje direkte, jo lista me adresa interneti për të klikuar.

Si rezultat, publikuesit e përmbajtjeve, nga mediat informative e deri te forumet dhe enciklopeditë si Wikipedia, po përballen me rënie alarmante të trafikut.

Ndërsa IA ndryshon mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacion, ajo po përmbys marrëveshjen ekonomike që qëndron në zemër të internetit. Trafiku njerëzor, prej kohësh, gjeneronte të ardhura nëpërmjet reklamave online; tani, ai trafik po shteron.

Prodhuesit e përmbajtjeve po përpiqen me urgjencë të gjejnë mënyra për t’i detyruar kompanitë e IA, që të paguajnë për informacionin që përdorin.

Nëse nuk ia dalin, interneti mund të shndërrohet në diçka krejt tjetër.

Që nga dalja e ChatGPT në fund të vitit 2022, njerëzit kanë përqafuar një mënyrë të re për të kërkuar informacion online. OpenAI, kompania që e zhvilloi chatbot-in, thotë se rreth 800 milionë njerëz e përdorin atë.

ChatGPT është aplikacioni më i shkarkuar në AppStore të iPhone. Apple deklaroi se në prill, për herë të parë, kërkimet tradicionale në Safari ranë, pasi përdoruesit po i drejtoheshin IA-së. OpenAI pritet të prezantojë së shpejti edhe një motor kërkimi të vetin.

Ndërsa OpenAI dhe kompani të tjera po rriten me shpejtësi, Google, që ka rreth 90% të tregut të kërkimit në SHBA, ka shtuar veçori IA në motorin e vet të kërkimit, për të ruajtur pozitat.

Vitin e kaluar nisi të paraqesë “përmbledhje të gjeneruara nga IA” para disa rezultateve kërkimi, të cilat tani janë bërë të zakonshme.

Në maj nisi “modalitetin IA”, një version të motorit të kërkimit që funksionon si chatbot.

Kompania tani premton se, me IA, “Google kërkon për ty”.

Përdoruesit nuk vizitojnë më faqet nga ku përftohet informacioni

Por ndërsa Google “kërkon për ty”, përdoruesit nuk vizitojnë më faqet nga ku përftohet informacioni. Similarweb, një kompani që mat trafikun e më shumë se 100 milionë faqeve, vlerëson se trafiku global nga njerëzit në motorët e kërkimit ka rënë me rreth 15% nga qershori i vitit të kaluar.

Disa kategori, si portalet e argëtimit kanë ecuri janë më mirë. Por shumë të tjera janë goditur fort, pikërisht ato që dikur u përgjigjeshin pyetjeve të zakonshme të kërkimit.

Faqet shkencore e arsimore kanë humbur 10% të trafikut, faqet enciklopedike 15%, faqet për shëndetësinë, 31%.

Për kompanitë që mbështeten te reklamat apo abonimet, humbja e vizitorëve do të thotë humbje të ardhurash. “Kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Google për një kohë të gjatë…

Por ata e prishën marrëveshjen” thotë Neil Vogel, drejtues i Dotdash Meredith, që zotëron revista si “People” dhe “Food & Wine”. Tre vite më parë, mbi 60% e trafikut të tyre vinte nga Google.

Tani kjo shifër ka rënë në 30 e ca për qind. “Ata po vjedhin përmbajtjen tonë për të konkurruar me ne”, thotë ai. Google këmbëngul se përdorimi që i bën përmbajtjeve të të tjerëve është i drejtë.

Por që nga prezantimi i përmbledhjeve me IA, përqindja e kërkimeve të lidhura me lajmet që nuk çojnë në asnjë klikim të mëtejshëm është rritur nga 56% në 69%, sipas Similarweb.

“Natyra e internetit ka ndryshuar plotësisht”, – thotë Prashanth Chandrasekar, drejtues i Stack Overflow, një forum për programues. “IA po e mbyt trafikun për shumicën e faqeve të përmbajtjes”, – shton ai.

Me më pak vizitorë, Stack Overflow po sheh më pak pyetje të postuara. Wikipedia, që gjithashtu ekziston falë përkushtimit të kontribuuesve të saj, paralajmëron se përmbledhjet e IA-së pa referencë “bllokojnë rrugën e aksesit dhe kontributit” për në faqe.

Për të ruajtur trafikun dhe të ardhurat, shumë media të mëdha kanë nisur marrëveshje licencimi me kompanitë e IA, të mbështetura edhe nga kërcënime ligjore, një strategji që Robert Thomson, drejtues i News Corp, e përshkruan si “sharm dhe padi”.

Kompania e tij, që zotëron “Wall Street Journal” dhe “New York Post”, ka arritur një marrëveshje me OpenAI.

Dy prej degëve të saj po padisin Perplexity, një tjetër motor IA. “New York Times” ka një marrëveshje me Amazon, por po padit gjithashtu OpenAI.

Ka edhe shumë padi dhe marrëveshje të tjera në zhvillim.

(Grupi “The Economist” ende nuk ka licencuar përmbajtjet e veta për trajnimin e modeleve IA, por ka rënë dakord që Google të përdorë disa artikuj për një shërbim IA.)

Por kjo qasje ka kufizime. Deri më tani, gjykatat duket se janë në anën e kompanive IA: muajin e kaluar, dy çështje për të drejtat e autorit në Kaliforni u fituan nga Meta dhe Anthropic, të cilat argumentuan se përdorimi i përmbajtjeve për trajnimin e modeleve është “përdorim i drejtë”.

Donald Trump gjithashtu mbështet tezën se Silicon Valley duhet të ketë dorë të lirë për të zhvilluar teknologjitë e së ardhmes, përpara Kinës.

Ai shkarkoi drejtoreshën e Zyrës së të Drejtave të Autorit në SHBA pasi ajo tha se përdorimi i përmbajtjeve të mbrojtura nga IA nuk është gjithmonë i ligjshëm.

Kompanitë IA janë më të gatshme të paguajnë për qasje të vazhdueshme sesa për të dhëna trajnimi. Por marrëveshjet e arritura deri tani janë të dobëta.

Reddit, një forum online, ka licencuar përmbajtjet e veta te Google për 60 milionë dollarë në vit.

Por vlera e tij e tregut ra me më shumë se gjysmën pasi njoftoi rritje më të ngadaltë të përdoruesve, për shkak të rënies së trafikut nga kërkimet. (Rritja është përmirësuar që atëherë.)

Problemi më i madh është se shumica dërrmuese e faqeve në internet, me qindra miliona, janë shumë të vogla për të joshur apo paditur gjigantët teknologjikë.

Përmbajtjet e tyre mund të jenë esenciale në mënyrë kolektive për kompanitë IA, por secila faqe është lehtësisht e zëvendësueshme.

Edhe nëse do të bashkoheshin për të negociuar në grup, ligjet antimonopol e ndalojnë. Ato mund të bllokojnë përdorimin e të dhënave ndaj robotëve të IA, dhe disa e kanë bërë.

Por kjo do të thotë të mos kenë më asnjë dukshmëri në kërkim.

Ofertuesit e shërbimeve softuer mund të ndihmojnë. Të gjithë klientët e rinj të Cloudflare tani pyeten nëse duan të lejojnë robotët e IA të përdorin faqet e tyre dhe për çfarë qëllimi.

Shkalla e Cloudflare i jep një mundësi më të mirë se të tjerët për të mundësuar një reagim kolektiv nga faqe që duan t’u vënë çmim kërkimeve nga IA.

Po testohet një sistem “paguaj për çdo përdorim” që do t’u lejonte faqeve të tarifojnë hyrjen e robotëve. “Duhet të vendosim rregullat e lojës”, – thotë Prince.

Sipas tij, rezultati më i mirë do të ishte “një botë ku njerëzit marrin përmbajtje falas dhe robotët paguajnë shumë për të”.

Një alternativë e ofron Tollbit, që e prezanton veten si “mur pagesash për robotë”. Ai u lejon faqeve të tarifojnë qasje të ndryshme për robotët IA: për shembull, një revistë mund të kërkojë më shumë për artikuj të rinj se për të vjetrit.

Në tremujorin e parë të këtij viti, Tollbit përpunoi 15 milionë mikro-transaksione për 2,000 publikues, përfshirë “Associated Press” dhe “Newsweek”.

Drejtori ekzekutiv, Toshit Panigrahi, vëren se ndryshe nga motorët e kërkimit që nxisin përmbajtje të përsëritura, tarifimi për akses nxit origjinalitet.

Një nga normat më të larta për përdorim të dhënash e ka një gazetë lokale.

Një model tjetër propozohet nga ProRata, një startup i drejtuar nga Bill Gross, pionier i reklamave “pay-per-click” në vitet ’90.

Ai propozon që paratë nga reklamat përkrah përgjigjeve të IA të rishpërndahen te faqet në proporcion me kontributin e tyre në përmbajtje.

ProRata ka motorin e vet të kërkimit, Gist.ai, që ndan të ardhurat me mbi 500 partnerë, përfshirë “Financial Times” dhe “The Atlantic”.

Edhe pse aktualisht është më shumë një shembull sesa konkurrent serioz i Google, qëllimi i Gross është të tregojë një model biznesi të drejtë që mund të kopjohet nga të tjerët.

Prodhuesit e përmbajtjes po rishikojnë gjithashtu modelet e tyre të biznesit.

“E ardhmja e internetit nuk varet vetëm nga trafiku,” thotë Chandrasekar, që ka zhvilluar produktin me abonim të Stack Overflow për biznese.

Mediat po planifikojnë një të ardhme “pa Google”, duke përdorur buletine dhe aplikacione për të arritur audiencën, dhe duke e fshehur përmbajtjen pas mure pagesash apo në evente live.

Dotdash Meredith thotë se ka rritur trafikun total, pavarësisht rënies nga Google. Audio dhe video, për arsye teknike dhe ligjore, janë më të vështira për t’u përmbledhur nga IA sesa teksti.

Faqja ku motorët IA dërgojnë më shumë trafik është YouTube, sipas Similarweb.

A është interneti në rënie

Jo të gjithë mendojnë se interneti është në rënie, përkundrazi, është në një “periudhë rritjeje të vrullshme”, argumenton Robby Stein nga Google.

Ndërsa IA e bën më të lehtë krijimin e përmbajtjes, numri i faqeve po rritet: robotët e Google raportojnë një zgjerim të internetit me 45% në dy vitet e fundit.

Kërkimi me IA u jep njerëzve mënyra të reja për të pyetur, për shembull, duke fotografuar bibliotekën personale dhe duke kërkuar rekomandime për ç’të lexojnë më pas, çka mund të rrisë trafikun.

Me pyetjet për IA, më shumë faqe se kurrë po “lexohen”, edhe nëse jo nga sytë njerëzorë.

Një motor përgjigjesh mund të skanojë qindra faqe për një përgjigje të vetme, duke përdorur më shumë burime se një kërkim tradicional.

Sa për idenë se Google po shpërndan më pak trafik njerëzor se më parë, Stein thotë se kompania nuk ka vënë re ndonjë rënie drastike në klikime, edhe pse refuzon ta publikojë këtë numër.

Ka edhe arsye të tjera pse njerëzit mund të vizitojnë më pak faqe: ndoshta janë duke përdorur rrjetet sociale.

Ose po dëgjojnë podcast-e.

“Vdekja” e internetit është paralajmëruar edhe më parë, nga rrjetet sociale, pastaj nga aplikacionet, por nuk ka ndodhur.

Megjithatë, IA mund të jetë kërcënimi më i madh deri më sot.

Nëse interneti do të mbijetojë në një formë të afërt me atë aktuale, faqet duhet të gjejnë mënyra të reja për të marrë pagesa.

“Njerëzit padyshim parapëlqejnë kërkimin me IA”, – thotë Gross. “Dhe për ta bërë internetin të mbijetojë, dhe me të, edhe demokracinë dhe krijuesit, kërkimi me IA duhet të ndajë të ardhurat me krijuesit”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat