Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të jetë i pranishëm në seancën plenare publike, e cila do të zhvillohet më 31 tetor 2025. Lajmi u bë i ditur nga njoftimet zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, sipas ligjit nr. 8577, të ndryshuar.
Sipas njoftimeve, Veliaj është informuar për datën dhe orën e seancës dhe ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë personalisht në gjykim. Për të garantuar praninë e tij, Gjykata ka bashkëpunuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, duke marrë masat e nevojshme për shoqërimin e ish-kryebashkiakut në sallën e gjykatës.
“Në vijim të procedurave, në datën 20 tetor, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me pjesëmarrjen e Veliajt në seancën plenare,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen pas një procesi ligjor që garanton të drejtën e palëve për të marrë pjesë në procedurat gjyqësore, duke respektuar të gjitha masat ligjore dhe sigurinë gjatë zhvillimit të seancës.
Seanca e 31 tetorit do të jetë publike dhe prania e Veliajt pritet të ketë impakt në rrjedhën e procedurës, ndërsa institucionet ligjzbatuese kanë marrë të gjitha masat për të siguruar zhvillimin e saj sipas ligjit.



