Gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, foli për masat e sigurisë dhe infrastrukturën në institucionet e drejtësisë.
Ajo njoftoi se KLP dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) pritet të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët në dhjetor, për të adresuar në mënyrë të dedikuar çështjet e sigurisë dhe strategjitë për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Pjesa e sigurisë apo infrastruktura në Prokurori, nga niveli i adresimit të masave, varet nga KLP dhe KLGJ duhet të hartojnë strategji për sigurinë në gjykata dhe prokurori. Mbledhja e përbashkët do të adresojë në mënyrë të dedikuar këtë çështje dhe do të zhvillohet në dhjetor,” – tha Bogdani.
Sa i përket infrastrukturës, Prokuroria e Përgjithshme është institucioni përgjegjës për menaxhimin e saj, duke përfshirë buxhetin dhe detyrimet për mirëmbajtjen e godinave dhe ambienteve të punës.
Bogdani gjithashtu bëri me dije se gjatë vitit 2024, 11 prokurorë kanë kërkuar dhe kanë marrë mbrojtje të plotë për veten dhe familjet e tyre, ndërsa për vitin 2025, janë 7 prokurorë të tillë.
Mbledhja e përbashkët KLP-KLGJ, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Prokurori i Përgjithshëm, synon të hartojë strategji të unifikuara dhe të qarta për sigurinë dhe mbrojtjen në institucionet e drejtësisë.



