Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka reaguar për herë të parë mbi zërat që qarkulluan lidhur me një takim të mundshëm me kryeministrin Edi Rama. I ftuar në emisionin “Trialog” me Alba Alishanin, Dumani u pyet drejtpërdrejt nëse ka refuzuar një takim me kryeministrin, por ai u tregua i rezervuar, duke nënvizuar se çdo kontakt me përfaqësues të pushteteve të tjera është vetëm në kuadër institucional.
“Takimet e drejtuesit të SPAK me përfaqësues të pushteteve të tjera janë proceduriale dhe institucionale. Takime të tjera tej këtij formati nuk kam patur dhe nuk kam asnjë,” – tha Dumani, duke mohuar çdo komunikim privat apo të paformalizuar me krerët e qeverisë.
Kur u pyet më tej nga gazetarja se “cila ka qenë përballja fizike me kryeministrin e vendit”, kreu i SPAK refuzoi të jepte detaje. “Kjo është përgjigjja ime”, – u shpreh ai shkurt.
Deklarata e Dumanit vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe drejtësisë, pas disa hetimeve të bujshme të SPAK që kanë përfshirë zyrtarë të lartë publikë. Përmes këtij qëndrimi, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme duket se ka dashur të nënvizojë pavarësinë institucionale të organit që ai drejton dhe të shmangë çdo perceptim për ndërhyrje apo kontakte jashtë kanaleve zyrtare.



