Anëtari i Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Orest Berberi, ka akuzuar pushtetin lokal dhe qendror për një tjetër aferë të rëndë korruptive në qytetin e Durrësit. Sipas tij, pas fasadës së një projekti të “zhvillimit urban”, po fshihet një skemë mashtrimi dhe përvetësimi të fondeve publike të rindërtimit, me vetëm një përfitues: pushtetin dhe klientelën e tij.
Berberi, në një deklaratë publike, tha se projekti fillestar i rindërtimit të zonës A të Durrësit, i hartuar në vitin 2020 nga studiot shqiptare “SON Engineering & Construction” dhe “A&E Engineering”, u përfundua në shkurt 2021 me financim nga fondet e tërmetit të 2019 dhe me mbështetje të taksapaguesve europianë.
Por, sipas tij, ky projekt u hodh poshtë në mënyrë të pajustifikuar, për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje të re mes Bashkisë Durrës dhe Fondacionit AADF, e cila, siç thekson Berberi, shërben si “mashtrim i dytë” me të njëjtën zonë, por me interesa financiare krejtësisht të ndryshme.
“Në vend që ky projekt të zbatohej, kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, firmosi një marrëveshje të re me AADF-në, duke shpallur një projekt tjetër për të njëjtën zonë. Pyetja është: pse u shpërfill puna e bërë dhe ku përfunduan paratë e rindërtimit?” – deklaron Berberi.
Sipas tij, marrëveshja me AADF-në, që paraqitet si “donacion” me vlerë 6.7 milionë euro, është në fakt një projekt koncesionar, nga i cili fondacioni parashikon të përfitojë trefishin e shumës brenda 15 viteve, ndërsa qytetarët humbasin pronat e tyre pa asnjë konsultim publik apo kompensim.
Berberi e cilëson këtë situatë si një “krim urban dhe ekonomik”, të mbuluar me “fjalë boshe për rilindje kulturore dhe rigjallërim qytetar”.
“Kjo është grabitje e pronës private dhe përvetësim i pasurive publike me bekimin e atyre që duhet t’i mbronin qytetarët,” – theksoi ai.
Në deklaratën e tij, përfaqësuesi i FRPD renditi edhe personat që sipas tij mbajnë përgjegjësi direkte për këtë aferë:
Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë Durrës, që firmosi marrëveshjen duke injoruar projektin ekzistues;
Edi Rama, Kryeministër, që me heshtjen e tij ka lejuar abuzimet me fondet e rindërtimit;
Blendi Gonxhja, Ministër i Kulturës, që ka vënë “vulën institucionale” për këtë projekt;
Elva Margariti, ish-Ministre e Kulturës, që nisi procesin pa transparencë dhe për qëllime propagandistike.
Berberi theksoi se Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë mbi mënyrën se si janë përdorur fondet e tërmetit, si dhe hetim të menjëhershëm nga SPAK mbi marrëveshjet e dyfishta të financimit dhe projektimit.
“Durrësi nuk ka nevojë për donacione që fshehin interesa, por për drejtësi, llogaridhënie dhe dinjitet,” – përfundoi Berberi.



