Ish-presidenti amerikan Donald Trump i është drejtuar Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar anulimin e vendimeve të mëparshme gjyqësore, që e shpallën fajtor për abuzim seksual dhe shpifje ndaj gazetares E. Jean Carroll, si dhe e detyruan të paguajë 5 milionë dollarë dëmshpërblim.
Në apelimin e depozituar të hënën, avokatët e Trump pretendojnë se gjykatësi Lewis Kaplan bëri “gabime serioze” gjatë procesit gjyqësor, duke lejuar dëshmitë e dy grave të tjera që e kishin akuzuar më herët për sulme seksuale dhe duke pranuar publikimin e videos “Access Hollywood”, ku Trump dëgjohet duke bërë komente të papërshtatshme për gratë.
Sipas mbrojtjes, këto elemente ndikuan padrejtësisht në perceptimin e jurisë dhe cënuan të drejtën e ish-presidentit për një gjykim të paanshëm. Trump ka këmbëngulur se Carroll ka shpifur kundër tij për motive politike, duke theksuar se “nuk solli asnjë provë konkrete, dëshmitar apo raport policor” dhe se “priti më shumë se 20 vite për ta sulmuar publikisht” pas zgjedhjes së tij si president.
Gazetarja E. Jean Carroll e paditi Trump në vitin 2019, duke pretenduar se ai e kishte ngacmuar seksualisht në një dyqan në Nju Jork në fund të viteve ’90 dhe më pas e kishte fyer dhe diskredituar publikisht kur mohoi akuzat.
Apelimi i Trump pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, e cila ende nuk ka vendosur nëse do ta pranojë çështjen. Nëse do të ndodhë, ky do të jetë një nga rastet më të bujshme të përfshirjes së Gjykatës Supreme në një çështje civile që përfshin një ish-president.
Ndërkohë, në një tjetër proces, një juri federale dënoi Trump-in në janar me 83 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje të përsëritur ndaj Carroll, pas deklaratave të tij në media ku e quajti “gënjeshtare”. Edhe për këtë vendim, mbrojtja e Trump ka kërkuar rishikim nga një panel më i gjerë gjyqtarësh federalë, ndërsa Departamenti i Drejtësisë po shqyrton nëse imuniteti presidencial mund të aplikohet për veprime të kryera gjatë mandatit të tij zyrtar.



