Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, u ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë kolegëve të saj demokratë, duke i ftuar që të mos qëndrojnë pasivë, por të bëjnë betejën brenda vetë PD-së, pa pritur që Sali Berisha të largohet.
E ftuar në emisionin “Frontline Interview” në Report TV, Açka theksoi se Partia Demokratike duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën në zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki dhe për humbjet e njëpasnjëshme elektorale.
“Unë s’doja të kisha konflikt me forcën time dhe kjo ndodhi. Mbase faji ishte i imi, por unë nuk kam qenë aty për të qenë politikisht korrekt me njërin apo me tjetrin. Tani shoh kolegë që presin që Berisha të bjerë. Po betejat bëhen në Parlament dhe bëhen në partinë tënde,” — deklaroi Açka.
Ajo theksoi se ndonëse ka mbështetur Berishën për 30 vite, nuk mund të mbyllte sytë përballë mënyrës se si po drejtohet partia:
“Unë e kam mbështetur Berishën për 30 vite, por mënyra si erdhën gjërat, unë nuk mund të mbyllja sytë për një karrige parlamenti. Kjo nuk është lufta ime.”
“Lidershipi s’ka mbajtur përgjegjësi për humbjet”
Açka u shpreh e zhgënjyer nga mungesa e reflektimit dhe analizës politike në lidershipin aktual të PD-së, duke thënë se ky qëndrim e ka mbajtur partinë në një gjendje humbjeje të vazhdueshme.
“Lidershipi i kësaj partie nuk e ka bërë detyrën. Të gjitha palët duket sikur ndihen mirë me këtë gjë, por atëherë i bie që kot i kemi bërë betejat. Kanë shumë rëndësi principet në politikë. Ne jemi sot këtu sepse nuk mund të shpëtojmë nga mantra e humbjes,” — tha ajo.
Ish-deputetja theksoi se asnjëra palë politike nuk ka treguar vullnet të vërtetë për reformë, duke përmendur si shembull komisionet e reformës territoriale dhe zgjedhore, të cilat sipas saj “nuk dhanë asnjë rezultat konkret”.
“Ata kanë shkatërruar demokracinë dhe përgjegjëse janë të dyja palët,” përfundoi Açka.



