Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin për arsimin për vitin 2026, që arrin vlerën nominale 64,865 miliardë lekë (rreth 648,6 milion euro), me një shtesë prej 2,846 miliardë lekë (28,4 milion euro) krahasuar me buxhetin e vitit 2025. Ky është buxheti më i lartë historik për arsimin në vend.
Ministrja Kumbaro theksoi se projektbuxheti konsolidon rritjen e pagave, uljen e pabarazive, përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë arsimore, si dhe fuqizon rolin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në zhvillimin kombëtar. Sektori i arsimit mbështetet gjithashtu nga fonde të tjera, duke e çuar financimin real në rreth 90 miliardë lekë (mbi 900 milion euro), që përfaqëson 10,1% të shpenzimeve publike.
Për vitin 2026, do të vijojë rritja e pagave për mësuesit me 36,000 lekë në vit, ndërkohë që do të vazhdojnë investimet për 42 kantiere shkollash, pajisjen e klasave me laboratorë dhe SmartLab-e, si dhe hapjen e Liceut Francez në Korçë me një fond prej 1 milion euro.
Në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, fondet totale për vitin 2026 arrijnë 185 milion euro, duke përfshirë grante mësimdhënie, mbështetje për studentët dhe projekte kërkimore. Investimet për infrastrukturën e universiteteve publike dhe kërkimin shkencor arrijnë 18,3 milion euro, përfshirë rindërtimin e godinave të fakulteteve dhe ndërtimin e muzeve shkencore.
Ministrja Kumbaro përfundoi duke theksuar se ky buxhet është një plan për të ardhmen, i cili pasqyron qartë prioritetin për arsimin si themel të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të vendit.



