Partia Demokratike ka kërkuar që në mbledhjen e së hënës në Konferencën e Kryetarëve të zhvillohet një debat për përcaktimin e minimumit jetik, duke kritikuar mënyrën se si qeveria kontrollon axhendën e Kuvendit.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e cilësoi të paprecedent që në një vend demokratik axhendën e Kuvendit ta caktojë 100% qeveria.
“Nuk ndodh në asnjë vend demokratik që axhendën e Kuvendit ta caktojë 100% qeveria. Në axhendë ka vetëm nisma të qeverisë dhe asnjë nismë deputetësh. Na u tha këtu se po jepen 1.8 miliardë euro në muaj. I bie 36 mijë lekë të vjetra për familje në nevojë. Po jeton dot Taulanti me 36 mijë lekë në muaj? Jo, nuk jeton,” tha Bardhi, duke kritikuar edhe buxhetin e propozuar.
Deputetja Jorida Tabaku theksoi se minimumi jetik është një masë shumë e rëndësishme për mbështetjen e qytetarëve dhe Parlamenti duhet ta diskutojë atë.
“Parlamenti, jo vetëm që nuk e përfshin minimumin jetik si një masë shumë të rëndësishme në mbështetje të qytetarëve, por as debat nuk lejon. Ky Parlament duhet t’i diskutojë këto çështje. Minimumi jetik është çështje thelbësore. Përndryshe, do duhet të mbyllet fare,” tha Tabaku.
Sipas PD, mungesa e debatit në Kuvend tregon dominimin e qeverisë mbi axhendën dhe shmangien e përgjegjësisë për çështje jetike për qytetarët.



