Ndërsa ligjvënësit janë mbledhur në Kuvend për të votuar kandidatin për Avokat të Popullit, Adriana Kalaja ka bërë një thirrje të fortë për mazhorancën, duke i kujtuar se pushteti nuk është i përjetshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kalaja ka theksuar se, edhe nëse PS nesër do të jetë në opozitë, qytetarët do të kenë nevojë për një Avokate Populli si ajo.
“Së dhjeti, ftoj mazhorancën të më votojë se pushteti nuk është i përjetshëm, dhe se nesër në opozitë, do ta dëshironit një Avokate Populli si unë,” shkruan Kalaja.
Në postimin e saj të plotë, kandidatja thekson falënderimin për mbështetjen e qytetarëve dhe konfirmon se ka fituar “betejën morale”, duke u konsideruar nga populli si Avokatja e tyre. Ajo shprehet se, pavarësisht rezultatit të votimit, do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke ushtruar kompetencat e saj kudo ku konstatohet padrejtësi, si në vend, ashtu edhe në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare për shqiptarët jashtë vendit.
Kalaja thekson gjithashtu gatishmërinë për të dërguar çdo ligj që bie ndesh me të drejtat dhe interesat e qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar këtë një angazhim të përhershëm kundër padrejtësive, pavarësisht nga burimi apo përkatësia politike e tyre.
Postimi i saj përfundon me një paralajmërim për mazhorancën: votoni sot, sepse nesër do të vlerësoni rëndësinë e një Avokate Populli të pavarur dhe të vendosur si ajo.



