Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet rreth kompanive dhe projekteve të tij, duke hedhur akuza të forta ndaj disa personave që, sipas tij, kanë ndikuar në dëmtimin e biznesit të tij dhe të familjes.
Pacolli rikthehet te ato që i cilëson si “propagandë të padrejtë” ndaj tij, vëllait dhe familjes së tij. Ai përmend deklaratat e avokatit Besnik Berisha, i cili, sipas Pacollit, kishte deklaruar se ai do të arrestohej, si dhe publikimet e disa gazetarëve e opinionistëve.
Në reagimin e tij, Pacolli ndalet veçanërisht te publikimet e Valon Ademit, për të cilat pretendon se kanë manipuluar opinionin publik dhe se kanë ndikuar edhe në vendimmarrje gjyqësore që, sipas tij, dëmtuan projektin e VIA-s.
“Ne e dimë mirë që Valon Ademi nuk ishte i vetëm”, shkruan Pacolli, duke pretenduar se pas këtyre zhvillimeve kanë qenë edhe persona të tjerë.
Ai përmend edhe ish-administratorin e VIA-s, Valon Llukën, ndaj të cilit ngre një sërë akuzash për keqmenaxhim dhe dëme financiare. Pacolli pretendon se dëmet ndaj kompanisë arrijnë në qindra milionë euro, ndërsa paralajmëron se do të publikojë dokumente dhe fakte për pretendimet e tij.
Pacolli thotë gjithashtu se i falënderon organet e Prokurorisë, pasi, sipas tij, është dëshmuar se ndaj tij dhe vëllait të tij nuk është ngritur asnjëherë hetim apo aktakuzë, pavarësisht përpjekjeve që ai pretendon se janë bërë për ndalimin e vëllait të tij.
Një tjetër çështje që ai ngre në reagimin e tij lidhet me Aeroportin e Vlorës. Pacolli thotë se pret që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të lejojë një auditim financiar, të cilin pretendon se po e kërkon që prej tetorit të vitit të kaluar.
Në vijim, ai akuzon Valon Llukën dhe Valon Ademin për një transaksion që lidhet me 30 kamionë, për të cilët pretendon se janë blerë me rreth 14 milionë euro të Mabco-s dhe më pas janë shitur, ndërsa paratë, sipas tij, janë përvetësuar pa dijeninë e drejtuesve të kompanisë.
Pacolli ngre gjithashtu pretendime për fatura që i cilëson si false, pagesa për punë që sipas tij nuk janë kryer, si dhe për një transaksion prej 2 milionë eurosh që ai e quan të paautorizuar.
Në fund të reagimit, Pacolli paralajmëron publikimin e dokumenteve që, sipas tij, do të mbështesin akuzat e ngritura ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij.
Ai shprehet se pret që drejtësia në shtetet ku kanë vepruar personat që ai akuzon, një ditë të zbardhë atë që e quan “krime”.




