Formula e re për pagat e magjistratëve ka hasur kundërshtimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, deklaroi në Komisionin e Ligjeve se rritja e parashikuar në projektligj nuk përputhet me standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Bogdanit, KLP ka bërë përllogaritjet e veta pas vendimit të Kushtetueses dhe rezultati është ndjeshëm më i lartë se ai që parashikohet në formulën e re.
Ajo tha se Këshilli ka arritur në përfundimin se paga referuese duhet të lidhet me kategorinë 2B, ku përfshihet edhe pozicioni i drejtorit të drejtorisë në administratën shtetërore.
“Për një rritje prej 0.02%, një rritje është minimale krahasuar me atë që përcakton apo ka përllogaritur vetë Këshilli për pagat e anëtarëve, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka një diferencë shumë të madhe”, tha Bogdani.
Kryetarja e KLP-së u shpreh qartë se, sipas vlerësimit të saj, formula e propozuar nuk e përmbush standardin e vendosur nga Kushtetuesja.
“Unë do të thoja që ka një diferencë shumë të madhe. Pra nuk reflekton standardin e vendosur nga Kushtetuesja”, deklaroi ajo.
Bogdani shtoi se për të përcaktuar nëse përllogaritja është bërë në mënyrën e duhur nevojitet edhe vlerësimi i ekspertëve financiarë, pasi çështja nuk është vetëm ligjore.
“Për të vlerësuar detajet do të ketë nevojë edhe për seanca dhe ekspertiza të tjera”, tha ajo.



