KreuDrejtësiaRikthehen “bëmat” e Arta Markut/ Pas 8 vitesh, kandidatja për Kryeprokurore i...

Rikthehen “bëmat” e Arta Markut/ Pas 8 vitesh, kandidatja për Kryeprokurore i hedh në tavolinën e KLP-së

Arta Marku rikthehet në garën për Prokuror të Përgjithshëm, por bashkë me kandidaturën e saj rikthehet edhe një periudhë e trazuar e Prokurorisë së Përgjithshme, ajo e viteve 2017–2019.

Marku u zgjodh Prokurore e Përgjithshme e përkohshme në dhjetor 2017, në një seancë të Kuvendit të shoqëruar me protesta, tensione dhe tym e flakë jashtë godinës së Parlamentit. Ajo mori drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme pas largimit të Adriatik Llallës dhe qëndroi në detyrë deri në dhjetor 2019.

Por periudha e saj në krye të institucionit nuk u karakterizua vetëm nga përplasjet politike që shoqëruan zgjedhjen e saj. Brenda Prokurorisë nisën një seri lëvizjesh, shkarkimesh, komandimesh dhe përplasjesh, veçanërisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Një prej emrave që u përplas me drejtimin e Markut ishte Sokol Stojani.

Në shtator 2018, Stojani u lirua nga detyra si drejtor i Inspektimit, Burimeve Njerëzore dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai kishte rreth nëntë muaj në këtë post.

Largimi ndodhi në një periudhë kur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kishte nisur një përplasje e fortë dhe Marku kishte ndërmarrë procedime disiplinore ndaj disa prokurorëve.

Vetë Stojani mohoi në atë kohë se largimi i tij kishte lidhje me procedimin e 10 prokurorëve të Krimeve të Rënda. Ai tha se kishte paraqitur dorëheqjen, ndërsa më pas kishte mësuar se ajo ishte trajtuar si lirim nga detyra.

“Kam pikëpamje tjetër në drejtimin e një institucioni, në mënyrën e funksionimit apo dhe të rekrutimit të burimeve njerëzore”, deklaronte Stojani në atë kohë, duke e lidhur largimin me diferencat e tij mbi mënyrën e drejtimit të institucionit.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Stojani ishte liruar nga detyra për shkelje dhe se vendimi nuk kishte lidhje me hetimin disiplinor ndaj prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Por Stojani nuk ishte rasti i vetëm.

Gjatë vitit 2018, Marku ndërhyri disa herë në strukturat e prokurorive, ndërsa Krimet e Rënda u kthyen në një nga pikat më të nxehta të përplasjes së saj me prokurorët. Ndryshime në drejtim, komandime dhe lëvizje të prokurorëve u shoqëruan me debate të forta mbi mënyrën se si po drejtohej institucioni.

Në një prej daljeve të saj publike në atë periudhë, Marku u përball me situatën e krijuar në Krimet e Rënda dhe kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar njëkohësisht se pavarësia e prokurorëve duhej të respektohej.

Krimet e Rënda ishin atëherë një nga strukturat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar. Më vonë, me ngritjen e SPAK-ut dhe ndryshimet që solli reforma në drejtësi, kjo strukturë do të shuhej për t’u zëvendësuar nga institucionet e reja të posaçme.

Sot, historia merr një tjetër kthesë.

Sokol Stojani është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe pjesë e procesit ku po shqyrtohen kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm.

Dhe pikërisht në këtë proces, Arta Marku ka kërkuar përjashtimin e Stojanit.

Pra, dy emrat që u përplasën në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2018, sot gjenden sërish përballë njëri-tjetrit, por në një tjetër skenë dhe me një tjetër peshë institucionale.

Atëherë ishte Stojani ai që humbi postin drejtues në Prokurorinë e Përgjithshme. Sot është Marku ajo që kërkon largimin e tij nga një proces ku Stojani ka të drejtë vote për kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm.

Tetë vite më pas, përplasja e vjetër nuk duket më thjesht si një episod i harruar i Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo është rikthyer në qendër të një gare për një nga postet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.

Përplasja e vjetër rikthehet në garën për Kryeprokuror/ Arta Marku i trembet “hakmarrjes” së Stojanit

Prokurorja e flakadanëve/ Kush po kërkon ta rikthejë Arta Marku në krye të Prokurorisë së Përgjithshme?

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat