Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Këshillit Bashkiak të kryeqytetit me një letër zyrtare para miratimit të buxhetit për vitin 2026, duke kërkuar që të respektohet kompetenca e tij dhe të merret mendimi institucional i tij para çdo vendimi.
Në letrën e tij, Veliaj thekson se sipas ligjit, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë dhe çdo miratim pa konsultimin e tij përbën një devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengon realizimin e mandatit demokratik të zgjedhur nga qytetarët.
“Duhet të merrni mendimin tim; miratimi pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur përbën jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim të gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës,” shkruan Veliaj.
Veliaj rikujton gjithashtu situatën alarmante të zbatimit të buxhetit të vitit 2025, duke theksuar se niveli i realizimit ka qenë shumë i ulët në kontrast me normat historike të bashkisë. Ai paralajmëron se miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa pjesëmarrjen e tij institucionalizon një precedent të rrezikshëm, ku Kryetari i zgjedhur përjashtohet de facto nga funksionet e tij kushtetuese.
Në letrën drejtuar këshilltarëve, Veliaj kërkon që:
Të realizohet konsultimi institucional me Kryetarin e Bashkisë përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit;
Çdo dëgjesë publike pa pjesëmarrjen e Kryetarit të zgjedhur të mos zëvendësojë konsultimin institucional;
Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa konfirmimin e Kryetarit cenon autonominë e vetëqeverisjes vendore dhe legjitimitetin demokratik.
Më 18 dhjetor, Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin për vitin 2026, i cili konsiderohet instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë. Veliaj kërkon që vendimi të reflektojë prioritetet e qytetarëve të Tiranës dhe të shmangë një precedent që mund të dëmtojë funksionimin demokratik lokal.



