Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka depozituar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) provat për gjyqin në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Në seancën e zhvilluar këtë të martë, Mediu nuk ishte i pranishëm fizikisht, por u përfaqësua nga avokatët e tij mbrojtës, të cilët ndoqën procedurat në emër të ish-ministrit.
Sipas SPAK, në dosjen e provave të paraqitura përfshihen dokumente dhe shkresa zyrtare që lidhen me procesin e hapjes së fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, aktivitet që më pas u shndërrua në një nga tragjeditë më të rënda industriale në vend.
Ndër provat e administruara është edhe një faks i dërguar nga zyra e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me lejimin e hapjes së fabrikës së demontimit. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se në këtë shkresë gjendet shënimi “Për Shkëlzenin”, duke iu referuar Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit të kohës, Sali Berisha.
Ky dokument konsiderohet nga SPAK si pjesë e rëndësishme e zinxhirit të provave që synojnë të hedhin dritë mbi mënyrën se si u morën vendimet institucionale për funksionimin e fabrikës së Gërdecit, si dhe mbi përgjegjësitë individuale dhe politike në këtë proces.
Po ashtu, SPAK ka kërkuar që të merret në pyetje edhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, për të sqaruar rrethanat e komunikimeve dhe procedurave administrative që lidhen me këtë çështje.
Në përfundim të seancës, GJKKO vendosi që seanca e radhës të shtyhet për datën 14 janar, në orën 09:00, ku pritet të vijojë shqyrtimi i provave dhe kërkesave të palëve.
Procesi ndaj Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit konsiderohet një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, për shkak të peshës së madhe publike dhe historike që mbart, si dhe për pritshmëritë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive mbi një nga ngjarjet më tragjike të pasviteve ’90.



