back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaProkurorët, si gjyqtarët/ Pas reformës në drejtësi themelojnë një strukturë të re

Prokurorët, si gjyqtarët/ Pas reformës në drejtësi themelojnë një strukturë të re

Pas një procesi të gjatë konsultimi mes prokurorëve nga të gjitha zyrat e prokurorive në vend, është themeluar Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur. Kjo shoqatë është ngritur në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe është e para organizatë e këtij lloji që formohet pas miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Shoqata ka për qëllim të ofrojë një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar që shërben si pikë reference për zhvillimet, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Shqipëri. Në një kohë kur sistemi i drejtësisë përballet me sfida të shumta, krijimi i Shoqatës shihet si një hap i domosdoshëm drejt një angazhimi më aktiv dhe të koordinuar nga vetë trupa e prokurorëve.

Misioni kryesor i Shoqatës është mbrojtja dhe garantimi i pavarësisë, integritetit dhe statusit të prokurorëve, si dhe promovimi i vlerave dhe rolit të tyre në një shoqëri demokratike dhe në një shtet ligjor. Shoqata do të angazhohet në mënyrë aktive në proceset ligjore dhe vendimmarrëse që prekin sistemin e drejtësisë, duke ofruar kontribute profesionale dhe qëndrime institucionale apo publike, sipas rastit.

Një rëndësi të veçantë Shoqata i kushton dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv me institucionet shtetërore, shoqërinë civile, mediat dhe aktorët e tjerë relevantë. Përbëhet nga prokurorë nga të gjitha zyrat e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të angazhohen sipas fushave të tyre përkatëse. Kryetar i parë i Shoqatës është zgjedhur prokurori Gezim Spahiu, i cili do të drejtojë mandatin e parë dhe do të udhëheq aktivitetet e organizatës në përputhje me misionin dhe objektivat e saj.

Krijimi i Shoqatës së Prokurorëve shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit profesional dhe pavarësisë së prokurorëve në Shqipëri, duke u bërë një aktor i rëndësishëm në zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë pas Reformës në Drejtësi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat