back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK kërkon 12 vite burg për Tahirin, çështja kalon në Gjykatën e...

SPAK kërkon 12 vite burg për Tahirin, çështja kalon në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë rekursin e SPAK dhe ankimimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa është ndryshuar relatori i çështjes.

Shorti i hedhur në vitin 2022 kishte caktuar gjyqtarin Sokol Binaj si relator, por mësohet se në dhjetor të vitit të kaluar ai ka dhënë dorëheqjen nga kjo çështje. Binaj ka argumentuar se kishte shqyrtuar më herët kërkesa gjyqësore të Tahirit gjatë kohës që ishte gjyqtar në ish-Apelin e Krimeve të Rënda, duke u konsideruar në konflikt interesi.

Në vend të tij, si relator është emëruar gjyqtari i sapoemëruar në Gjykatën e Lartë, Genti Shala.

SPAK ka ushtruar rekurs ndaj vendimit të dhënë për Tahirin, duke mos u pajtuar me dënimin vetëm për shpërdorim detyre. Prokuroria e Posaçme kërkon që ish-ministri të shpallet fajtor edhe për veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, me një dënim total prej 12 vitesh burg.

Kujtojmë se ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar Tahirin për shpërdorim detyre me 5 vite burg, dënim i cili u ul në 3.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Më pas, ky dënim u pezullua dhe Tahirit iu vendos një periudhë prove.

Vendimi u ankua nga të dyja palët, ndërsa Apeli i GJKKO-së e prishi pezullimin dhe la në fuqi dënimin me 3.4 vite burg. Pas një periudhe vuajtjeje të dënimit, Tahiri u lirua nga Gjykata e Elbasanit për shkak të rrethanave familjare, pa e shlyer plotësisht dënimin.

Në Gjykatën e Lartë, përveç relatorit Gent Shala, pritet të caktohet data e seancës si dhe dy anëtarët e tjerë të trupës gjyqësore që do të shqyrtojnë rekursin e SPAK dhe ankimimin e Tahirit, i cili kërkon shpalljen e pafajësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat