Revista prestigjioze amerikane Forbes i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke e përshkruar vendin si një “terren të ri” me potencial të madh për industrinë e jahteve luksoze. Sipas Forbes, bregdeti shqiptar, ende pak i njohur për shumicën e pronarëve të jahteve, pritet të pësojë një transformim të rëndësishëm falë ndërtimit të marinave moderne dhe resorteve luksoze.
Artikulli thekson se Shqipëria ka një bregdet me ujëra kristal, të krahasueshme me Greqinë dhe Malin e Zi, por deri tani ka mbetur jashtë hartës së industrisë së jahteve për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe zhvillimeve luksoze.
Sipas Irini Sarantis, drejtoreshë e marketingut dixhital në agjencinë ndërkombëtare IYC, Shqipëria përbën vetëm 0.27% të aktivitetit charter në Mesdhe, me rreth 30 javë rezervime në vit, një shifër shumë e ulët krahasuar me vendet fqinje.
Megjithatë, kjo situatë pritet të ndryshojë. Autoritetet shqiptare kanë shpallur një strategji ambicioze për ndërtimin e një rrjeti marinash përgjatë gjithë bregdetit, duke e kthyer vendin në një ndalesë strategjike për jahte gjatë sezonit mesdhetar.
Projektet po udhëhiqen nga dizajneri i njohur italian Luca Dini, i cili e përshkruan Shqipërinë si një nga vendet e rralla në Europë ku ende mund të zhvillohen projekte në shkallë të madhe.
“Është një fletë e bardhë, një mundësi për të ndërtuar një vend”, shprehet Dini, duke theksuar se problemi kryesor aktual mbetet logjistika dhe mungesa e porteve për ankorim.
Sipas tij, rrjeti i marinave do të ndahet në mënyrë efikase për të ulur ndikimin mjedisor dhe për të gjeneruar rritje ekonomike përgjatë gjithë vijës bregdetare. Projektet do të ndërtohen në harmoni me natyrën, me ndërtesa “të padukshme” nga deti, çati të gjelbra dhe përdorim të materialeve tradicionale si terrakota.
Në pesë vitet e ardhshme pritet të përfundojnë shumica e projekteve, duke e pozicionuar Shqipërinë si një destinacion serioz për industrinë e jahteve në Mesdhe, me itinerare që mund të lidhen me Malin e Zi, Kroacinë dhe Venecian.
Artikulli përmend gjithashtu zhvillime të tjera të rëndësishme, si Balkans Sea Fair në Vlorë, ekspozita e parë e jahteve në Shqipëri, si dhe projekti Durrës Yachts & Marina, një investim prej 2.5 miliardë dollarësh nga Eagle Hills i Abu Dhabit, pjesërisht operativ që nga marsi 2025.
Forbes përfundon se, nëse këto investime realizohen me sukses, Shqipëria mund të rivalizojë destinacionet tradicionale mesdhetare dhe madje edhe tregjet e reja luksoze në Lindjen e Mesme.



