Një mesazh i publikuar në rrjetet sociale nga Shoqata e Prokurorëve më shumë ngre pikëpyetje sesa sqaron.
“A duhet që opinioni publik të ndikojë në mënyrën se si prokurori vendos?”, pyet shoqata në mesazhin e saj, për të vijuar më pas me shpjegimin se prokurori duhet të veprojë mbi bazën e ligjit, provave, objektivitetit dhe paanshmërisë, dhe jo për t’iu pëlqyer të tjerëve.
Në parim, sigurisht që nuk ka asgjë për të kundërshtuar. Problemi është se një parim kaq elementar i profesionit të prokurorit paraqitet si një dilemë që kërkon shpjegim publik.

Sepse një prokuror nuk duhet të pyesë veten nëse duhet të ndikohet nga opinioni publik. As nuk duhet të ketë nevojë t’i kujtohet nga një shoqatë profesionale se vendimet merren mbi bazën e ligjit, fakteve dhe provave.
Kjo është pikërisht ajo që mësohet që në formimin profesional të një juristi. Ligji, faktet dhe provat janë baza e vendimmarrjes, jo emocionet, presioni publik, pëlqimi i shumicës, antipatitë apo interesat personale.
Ndaj mesazhi i Shoqatës së Prokurorëve ngre një tjetër pyetje, ndoshta më të rëndësishme se ajo që vetë shoqata ka zgjedhur të shtrojë. Pse duhet t’i kujtohet publikut se prokurori duhet të zbatojë ligjin?
Një prokuror nuk është komentues i rrjeteve sociale, as politikan që mat vendimet me sondazhe. Ai është pjesë e sistemit të drejtësisë dhe ushtron një funksion që kërkon profesionalizëm, pavarësi dhe përgjegjësi. Pikërisht për këtë arsye, një vendim nuk bëhet më i drejtë sepse pëlqehet nga publiku, por as më pak i drejtë sepse nuk pëlqehet.
Kjo nuk është ndonjë risi e sistemit të drejtësisë. Është themeli i tij.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i këtij mesazhi. Ajo që duhet të jetë e vetëkuptueshme për çdo prokuror dhe gjyqtar, na serviret si një reflektim profesional për t’ia shpjeguar publikut.
Askush nuk pret që prokurorët të marrin vendime për të kënaqur publikun. Por publiku ka të drejtë të presë prej tyre diçka shumë më themelore, që çdo vendim të jetë i argumentuar, i mbështetur në ligj dhe prova dhe i mbrojtshëm profesionalisht.
Nëse një prokuror ndjen se duhet të përballet me “pritshmëritë e shoqërisë”, kjo nuk e ndryshon detyrën e tij. Përkundrazi, pikërisht në momente të tilla duhet të tregojë se është në gjendje të bëjë dallimin mes zhurmës publike dhe përgjegjësisë ligjore.
Por ka edhe një dimension tjetër që nuk mund të anashkalohet.
Në një kohë kur drejtësia është nën një vëzhgim të jashtëzakonshëm publik dhe besimi i qytetarëve te institucionet është një nga çështjet më të rëndësishme të sistemit, mbyllja pas parimit “ne vendosim sipas ligjit” nuk është e mjaftueshme. Prokurori duhet të vendosë sipas ligjit, por duhet edhe të jetë i gatshëm të japë llogari profesionale për mënyrën se si e ka zbatuar atë ligj.
Pavarësia nuk do të thotë izolim nga publiku. Paanshmëria nuk do të thotë mungesë transparence. Dhe mosndikimi nga opinioni publik nuk do të thotë që institucionet e drejtësisë nuk duhet t’i shpjegojnë qytetarëve vendimet e tyre.
Në fund të fundit, publiku nuk kërkon që prokurori të vendosë sipas dëshirave të tij. Kërkon të bindet se ligji është zbatuar njësoj për të gjithë.
Prandaj, ndoshta mesazhi i Shoqatës së Prokurorëve do të kishte qenë më i dobishëm nëse, në vend që t’i shpjegonte publikut se si duhet të sillet një prokuror, do të kishte folur për mënyrën se si sistemi garanton që ky standard zbatohet realisht në çdo dosje, për çdo person dhe në çdo rrethanë.
Sepse respekti për ligjin nuk është një mesazh për rrjetet sociale.
Është detyra për të cilën një prokuror ka marrë postin, përgjegjësinë dhe pushtetin që i jep ligji./ Etleva Skonja



