Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X, duke kritikur vendimet e gjykatave që kanë dhënë dëmshpërblime për personat e larguar nga sistemi gjyqësor gjatë procesit të vetingut.
Sipas Ramës, 92 raste kanë rezultuar në pagesa financiare prej rreth 12 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, duke trajtuar të përfshirët jo si fajtorë, por si viktima që duhen dëmshpërblyer.
Ai thekson se vendimet janë dhënë shpesh me urdhër ekzekutimi, pa kaluar ende në Gjykatën Administrative të Apelit, duke detyruar ISSH-në që të kryejë pagesat nga fondi i pensioneve.
“Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme, – shkruan Rama – ndërkohë që radha për pagesa nga taksat e qytetarëve vazhdon dhe shuma prej 12 milionë eurosh mund të rritet ndjeshëm.”
Kryeministri paralajmëron se këto praktika minojnë besimin në sistemin gjyqësor dhe sjellin kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.



