back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaNdërtimet që shkaktojnë konflikt/ Qytetarët dhe qeveria në betejë për tokat dhe...

Ndërtimet që shkaktojnë konflikt/ Qytetarët dhe qeveria në betejë për tokat dhe pronat

Në Shqipëri, konflikti midis investimeve private dhe pronës publike ose private është bërë një problem që shfaqet gjithnjë e më shpesh, duke sjellë përplasje sociale, ligjore dhe politike. Rastet e fundit në qytete të ndryshme, si Durrës, Sarandë dhe Shkodër, tregojnë pasojat e mundshme kur qytetarët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja mbi tokat ose pronat e tyre.

Përplasja me komunitetin dhe institucionet

Në Durrës, projekti TID ka nxitur protesta të banorëve kundër ndërhyrjeve në zonën arkeologjike, ndërsa në Baks–Rrjoll disa banorë janë përplasur disa herë me policinë gjatë tentativave për të ndaluar punimet e një resorti turistik në tokat, që pretendojnë se janë të tyre.

Në Sarandë, investime private për ndërtimin e vilave buzë detit janë ndaluar nga banorët lokalë dhe aktivistët ambientalë, të cilët argumentojnë se hapësira është pronë publike dhe përfshin zona të mbrojtura natyrore. Tensioni u rrit kur mjetet e kompanive nisën punimet, duke u përplasur me qytetarët dhe duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme.

Në Shkodër, ndërhyrjet për zhvillimin e një kompleksi tregtar në zonën e bregut të liqenit kanë shkaktuar debate ligjore mbi pronësinë dhe përdorimin e tokës. Banorët dhe shoqatat lokale argumentojnë se nuk janë konsultuar dhe se projekti po rrezikon ekosistemin dhe tokat që përdoren për bujqësi.

Sfida ligjore dhe sociale

Sipas ligjit shqiptar, pronarët me dokumentacion të rregullt kanë të drejtë absolute mbi tokën e tyre. Megjithatë, ndërhyrjet strategjike për zhvillim urban ose turistik shpesh krijojnë përplasje midis institucioneve dhe qytetarëve. Kur nuk ka dialog të hapur dhe transparencë në vendimmarrje, situata shpesh degjeneron në konflikte me policinë ose protesta qytetare, duke rritur tensionin dhe politizimin e çështjes.

Banorët ankohen për shkelje të pronësisë dhe ndërhyrje të padrejtë, ndërsa investitorët privatë pretendojnë se kanë marrë lejet e nevojshme. Përplasjet jo vetëm që rrezikojnë projektet, por ndikojnë edhe në besimin e qytetarëve dhe investitorëve tek institucionet shtetërore.

Pasojat për qytetin dhe investimet

Konfliktet e tilla kanë pasoja të shumta. Për qytetarët do të thotë ndërhyrje në pronat dhe pasuritë e tyre dhe  padrejtësi ligjore.

Për investitorët, do të thotë, projekte të bllokuara ose të vonuara, duke ulur besimin në sigurinë ligjore të investimeve. Ndërsa për qeverinë do të thotë rritje të tensioneve politike dhe ndikim në imazhin publik.

Probleme shfaqen edhe për mjedisin. Pasi në disa raste, ndërtimet rrezikojnë zona të mbrojtura ose pasuri natyrore të qytetit.

Situata në qytetet shqiptare tregon se balanca midis zhvillimit privat dhe respektimit të pronësisë publike ose private është e brishtë. Institucionet duhet të garantojnë respektimin e ligjit dhe të përfshijnë komunitetin në vendimmarrje, ndërsa investitorët duhet të zbatojnë standarde ligjore dhe sociale. Pa këtë ekuilibër, përplasjet mes qeverisë, banorëve dhe kompanive private do të vazhdojnë të jenë një sfidë serioze për zhvillimin urban dhe social të vendit./ E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat