Ish-deputeti i PS-së, Plarent Ndreca, u paraqit sot, 26 shkurt, në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si i dyshuar për shkelje të barazisë në pjesëmarrje në tendera, vepër që i atribuohet kohës kur ai shërbente si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ndreca ishte personalisht prezent gjatë seancës, duke sfiduar hetimin e SPAK.
Mbrojtja e tij, përmes avokatit Ermal Yzeiraj, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi dhe shpalljen e moskompetencës së çështjes, duke argumentuar se gjykata nuk ishte kompetente për të shqyrtuar rastin.
“Kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje, akuza është e paqartë. Me ndryshimet e nenit 75 të Kodit të Procedurës Penale, GJKKO gjykon krimet bazuar në nenin 258. Mbi 800 mijë lekë, kompetente është kjo gjykatë, përndryshe nën 800 mijë lekë shqyrtohet nga gjykatat e zakonshme. Procedurat e para dhe të dyta nuk përmbushin këto kritere,” deklaroi avokati Yzeiraj.
Ai argumentoi se lidhja e dy procedurave nga Prokuroria ishte “logjike, por pa bazë ligjore”, duke shtuar se personat e përfshirë janë nga institucione të ndryshme dhe nuk ka asnjë koordinim të qëllimshëm për të kryer veprën penale: “Për të pasur të njëjtin qëllim kriminal, do duhej të kishin rënë dakord paraprakisht, por punonjësit janë bashkuar rastësisht,” tha avokati.
Ndreca vetë e cilësoi akuzën si “të paqartë dhe konfuze”:
“Akuza nuk specifikon se për cilat tendera akuzohem. Një procedurë ka vlerën zero me konkurs; tjetra me fond limit pa konkurrim. Si mund të flitet për shkelje të barazisë? Referuar ndryshimeve të 2021, procedurat me vlerë zero nuk përbëjnë krim,” u shpreh ish-deputeti.
Nga ana tjetër, Prokuroria, përfaqësuar nga Dorina Bejko, argumentoi se dy procedurat lidhen nga i njëjti qëllim kriminal dhe se Ndreca ka paracaktuar fituesin në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme:
“Ne kemi vlerësuar që të dyja procedurat janë të ndërlidhura, ndaj e kemi akuzuar për një episod. Qëllimi final ka qenë paracaktimi i fituesit,” tha Bejko.
Pas debatit të gjatë, trupa gjykuese, e përbërë nga kryesuesja Rudina Palloj dhe anëtarët Flojera Davidhi dhe Erjon Çela, rrëzuan kërkesën e mbrojtjes për shpalljen e moskompetencës, duke konfirmuar se çështja është nën juridiksionin e GJKKO-së.
Gjykata pranoi gjithashtu kërkesën e mbrojtjes për kohë shtesë për t’u njohur me argumentet e SPAK, dhe seanca e ardhshme është caktuar për më 5 mars, në orën 11:00.



