Fillimi i vitit 2026 shënoi një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të plotë të tregut të energjisë në Shqipëri. Pjesa e fundit e konsumatorëve industrialë dhe të mëdhenj, rreth 2300 biznese të lidhura në tensionin 6 kV, u përfshinë në tregun e lirë të energjisë, duke u shkëputur nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Kjo do të thotë se këto kompani nuk furnizohen më automatikisht nga shoqëria shtetërore, por tani kanë mundësinë të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë, duke u bazuar në ofertat më të favorshme për ta.
Sipas ekspertëve të sektorit, në treg janë mbi 40 kompani të licensuara nga Enti Rregulltar i Energjisë, që mund të ofrojnë shërbimin e furnizimit të energjisë elektrike për bizneset. “Çdo kompani mund të trokasë në derën e biznesit për të ofruar çmimin më të leverdishëm dhe të përshtatshëm sipas nevojave të tyre,” tha një ekspert.
Pavarësisht liberalizimit, bizneset nuk do të mbeten kurrë pa energji. Në rast ndërprerjeje të kontratës me një furnizues, ekziston një mekanizëm tranzitor për furnizim të përkohshëm. Për më tepër, për dy muajt e parë është aktiv një mekanizëm i njohur si furnizuesi i mundësisë së fundit, që garanton furnizimin e vazhdueshëm dhe i jep kohë bizneseve të gjejnë ofertën më të mirë.
Procesi i liberalizimit të tregut ka qenë gradual. Fillimisht janë përfshirë klientët me tension 35 kV, më pas ata me tension 20 kV dhe 10 kV, dhe tani kanë arritur konsumatorët industrialë të tensionit 6 kV. Ky proces ka për qëllim krijimin e një tregu konkurrues dhe të qëndrueshëm, ku bizneset mund të përfitojnë nga çmimet më të favorshme dhe shërbimi i energjisë të jetë i garantuar.
Gjithashtu, ligji garanton të drejtën e bizneseve për të ndryshuar furnizuesin e energjisë në çdo kohë, pa penalitete. Ky hap është parë si një mundësi për kompanitë industriale për të optimizuar shpenzimet e tyre operative dhe për të përfituar nga një treg më fleksibël dhe konkurrues.



