Kreu i PD, Sali Berisha, ka njoftuar se më 17 prill do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës.
Në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale këtë të shtunë, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen, duke e cilësuar atë si të vetmen rrugë të mbetur.
“Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës,” u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi se nuk do të ketë stabilitet pa largimin e kreut të qeverisë, ndërsa shtoi akuza ndaj mazhorancës dhe strukturave që, sipas tij, lidhen me krimin dhe trafikun e drogës.
Në fund të deklaratës së tij, Berisha theksoi se opozita mbetet e vendosur në misionin e saj dhe më e fortë se kurrë për të vijuar aksionin politik.
Protesta e 17 prillit pritet të zhvillohet në Tiranë, ndërsa mbetet për t’u parë pjesëmarrja dhe reagimi i qeverisë ndaj kësaj thirrjeje të opozitës.



