Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit e 2 muaj burg Marim Lekën, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Fillimisht, gjykata i caktoi një dënim prej 1 viti e 9 muaj burg, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Megjithatë, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua me një të tretën, duke u finalizuar në 1 vit e 2 muaj heqje lirie.
Sipas vendimit nr. 27, të datës 1 prill 2026, 39-vjeçari nga Lushnja akuzohej se gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 kishte ofruar shumën prej 500 eurosh për blerjen e votës. Hetimet kanë zbuluar se ai i kishte premtuar para një shtetasi në këmbim të votës në favor të Partisë Demokratike. Policia ka sekuestruar gjithashtu kartën e identitetit të personit të përfshirë në këtë rast.
Trupa gjykuese që mori vendimin përbëhej nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka. Vuajtja e dënimit për të pandehurin nis nga momenti i arrestimit ose ndalimit të tij.
Procesi gjyqësor u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, ndërsa në përfundim, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Në vendim parashikohet gjithashtu që provat materiale të sekuestruara gjatë hetimit, përfshirë një CD me përmbajtje të bisedave ambientale mes të pandehurit dhe një shtetasi tjetër, të asgjësohen pasi vendimi të marrë formë të prerë.



