Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të hapet “plotësisht dhe shumë shpejt”, duke theksuar se kjo do të ndodhë me ose pa bashkëpunimin e Iranit.
Duke folur përpara gazetarëve, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura të garantojnë lirinë e lundrimit në këtë rrugë detare strategjike për tregtinë globale.
“Ne do ta hapim Gjirin ose ngushticën, siç e quajnë ata, me ta ose pa ta,” deklaroi ai, duke iu referuar autoriteteve të Iran.
Presidenti amerikan theksoi se situata pritet të zgjidhet në një kohë shumë të shkurtër. “Do të ndodhë shumë shpejt; nëse jo, do ta përfundojmë në një mënyrë ose në një tjetër,” u shpreh Trump.
Sipas tij, presioni ekonomik ndaj Iranit pritet të japë efekt dhe ta detyrojë Teheranin të tërhiqet nga çdo kufizim mbi kalimin detar. “Ngushtica do të hapet automatikisht, sepse Irani nuk do të fitojë para ndryshe,” shtoi ai.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë, duke e bërë çdo tension në këtë zonë me ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.



