Ndërsa vendet europiane po largohen gjithnjë e më shumë nga makinat me naftë, Shqipëria vijon të mbetet një përjashtim i dukshëm në këtë trend. Të dhënat e fundit tregojnë se automjetet me naftë dominojnë ende regjistrimet e reja në vend, duke e bërë tregun vendas më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve të karburanteve.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në tremujorin e parë të vitit 2026 u regjistruan për herë të parë rreth 17.7 mijë autovetura, nga të cilat afro 59% ishin me naftë. Edhe pse kjo shifër shënon një rënie krahasuar me vitin 2024, kur pesha e tyre ishte 66%, dominimi i naftës mbetet shumë i lartë.
Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, diferenca është e theksuar. Sipas Eurostat, në vitin 2024 vetëm rreth 15% e regjistrimeve të reja në BE ishin makina me naftë. Shqipëria renditet kështu ndër vendet me varësinë më të madhe ndaj këtij lloj karburanti, duke lënë pas edhe vende si Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Ndërkohë, në Europë mbizotërojnë makinat me benzinë, të cilat përbënin rreth 60% të regjistrimeve të reja në vitin 2024. Në Shqipëri, ky segment zë vetëm 18% të tregut në tre muajt e parë të vitit 2026.
Një zhvillim pozitiv për vendin është rritja e makinave elektrike, të cilat arritën në 13% të regjistrimeve të reja gjatë periudhës janar-mars 2026, duke u afruar me mesataren europiane.
Pse Europa po heq dorë nga nafta
Rënia e përdorimit të makinave me naftë në Europë është rezultat i një kombinimi faktorësh. Një pikë kthese ishte skandali “Dieselgate” në vitin 2015, kur u zbulua se prodhuesi gjerman Volkswagen kishte manipuluar testet e emetimeve për miliona automjete. Ky zhvillim goditi besimin e konsumatorëve dhe çoi në shtrëngim të standardeve mjedisore.
Që prej asaj kohe, shumë qytete europiane kanë vendosur kufizime për automjetet diesel për shkak të ndotjes së ajrit, ndërsa politikat e BE-së kanë nxitur kalimin drejt makinave elektrike dhe hibride përmes subvencioneve dhe objektivave klimatike.
Në të njëjtën kohë, rritja e taksave për naftën dhe ulja e avantazhit të saj në çmim krahasuar me benzinën kanë ndikuar në ndryshimin e preferencave të konsumatorëve. Edhe prodhuesit e mëdhenj të automjeteve kanë zhvendosur fokusin drejt elektrifikimit.
Si rezultat, pesha e makinave me naftë në Europë është në rënie të vazhdueshme, ndërsa Shqipëria vijon të mbetet një treg ku kjo teknologji dominon, të paktën për momentin.



